
Teknologjia në bujqësi dhe fake news politik!
Dritare.net
E çuditshme se si në vendin tonë, lajmi i rëndësishëm që u shërben qytetarëve, nuk përbën lajm, ndërsa “fake news” politik, i mbushur me të shara dhe lajme të pavërteta, kthehet në kryefjalën e ditës.
E shtyrë nga lufta politike, “ fake news” ka si objektiv disiformacionin e qytetarëve për të ngritur një tymnajë mediatike, me qëllim përcjelljen e mesazhit që Shqipëria nuk po zhvillohet dhe po qëndron në vend numëro. Një histori aq e vjetër, sa tranzicioni ynë e përsërit shpesh këto 30 vite.
E në gjithë këtë tymnajë mediatike e politike me tambure që bien çdo ditë, nuk mund të shpëtonte as bujqësia shqiptare. Një bujqësi e brishtë, por që ka filluar të rimëkëmbet e t’i jepet prioriteti i duhur nga qeveria Rama. Para 5 ditësh kaloi pothuajse nën një heshtje mediatike, inspektimi i kryeministrit Rama dhe ministres Krifca në kampusin e ri universitar të Universitetit Bujqësor të Tiranës ku do të jetësohet dhe qendra e re e inovacionit dhe shkencës për nanoteknologjinë. Heshtje dhe asnjë artikull për rilindjen që po përjeton ky universitet dhe ky sektor, që për kaq shumë vite, ishte lënë në harresën kolektive, e mesa duket nostalgjikët e pedagogët e këtij universiteti krenoheshin vetem me emrin që kishte lënë në të kaluar ky kampus.
Asnjë politikan, asnjë analist dhe asnjë zë publik nuk doli të fliste për punën e mirë që po bëhet në këtë sektor dhe jo më ta reklamonte këtë ndryshim rrënjësor që po përjeton sektori i bujqësisë, i cili realisht është strategjik dhe fondamental për vendin tonë. As ata, të cilët hallet e fermerëve, shpesh i lënë pa gjumë në shtëpitë e tyre në Tiranë. Askush nuk gjeti kohë ta përgëzonte këtë nismë.
Nuk gjeti kohë askush për të folur as për nismën e re, atë të skemës kombëtare të trajnimit në bujqësi ku më shumë se 2000 fermerë do të përditësojnë njohuritë në fushën e bujqësisë. Nuk pati askush interes mediatik për këto nisma, të cilët u shërbejnë fermerëve duke mundësuar zhvillimin e sektorit në nivele konkurruese me vendet e zhvilluara, dhe jo personave me pushtet mediatik ose politik, të cilët shfrytëzojnë hallet e fermerëve për interesat e tyre mikro-politike.
Një habi e madhe për këtë vend të vogël, i cili nuk lejohet të dëgjojë e të shikojë të vërtetën, një vend I cili rrethohet nga “fake news” dhe e ka kthyer në konsum dite, për të shmangur të vërtetën, të vërtetën që të zgjon dhe të përball me realitetin, të vërtetën që të ndihmon dhe të orienton për të dalë nga ky batatak mediatik ku kemi hyrë.
Nuk do ia kisha kushtuar kurrë këto rreshta, në qoftë se nuk do të besoja se çlirimi i Shqipërisë do të jetë reklamimi i sa më shumë punëve të mira qe po bëhen për të ardhmen e saj dhe se “fake news” është një piranjë mediatike politike, e cila ka qëllim vetëm kafshimin e të vërtetës dhe dhënien e një imazhi jo real. E them këtë, sepse Shqipëria do të jetë e destinuar të eci përpara edhe të evoluojë si komb, vetëm kur shqiptarët të lidhen me tokën e tyre./dritare.net

















