
Vendi i Nënë Terezës, nuk është vend kriminelësh, zonja Braverman!
Dritare.net
Nga Ermal Peçi
Dita e djeshme nuk ishte një ditë si gjithë të tjerat apo një fundjavë e zakonshme, që ti ia kushton familjes ose vetes. Dje, Shqipëria protestonte në dy anë të botës.
Një protestë në Londër, e nxitur nga retorika e ashpër kundër emigrantëve shqiptarë, e shfaqur nga Sekretarja për Punët e Brendshme Suella Braverman. Protesta tjetër në Tiranë, si pasojë e ngjarjeve të zhvilluara dhe amplifikuara në Shqipëri, ku brenda kaosit që ndodhet opozita, gjen forcë të protestojë.
Çfarë ndodh tek ne është për ushqim të brendshëm, sepse në fund vetë e kemi gatuar këtë çorbë, ndërsa ajo që ndodhi në Angli duhet të na zgjojë nga gjumi letargjik që na zë përballë të huajve. Dje komuniteti shqiptar në Angli u mblodh në një protestë në Ëestminster Bridge afër Parlamentit, kundër retorikës së ashpër në kufijtë e racizmit, artikuluar dy javë më parë nga Sekretarja e Punëve të Brendshmë Suela Braverman. Protesta e djeshme meriton një bravo të madhe për mesazhin që përcolli dhe qytetarinë tonë si dhe për ata njerëz të cilët dolën per të mbrojtur dinjitetin tonë si komb. Për të thirrur me zë të lartë se “Ne” nuk jemi një vend kriminelësh.
E pakuptimtë që këto thirrje vijnë nga një zonjë, e cila edhe vetë vjen nga një familje emigrante.
Znj Braverman as nuk ka prejardhje gjaku blu dhe as nuk është pjesëtare e familjes mbretërore por është një emigrante, si gjithë ata shqiptarë, të cilën lanë vendin e tyre për një jetë më të mirë dhe për më shumë mundësi në jetë. Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë qelibar, e dimë dhe ne vetë. Post komunizmi që na la në varfëri dhe padituri, hallet tona të trazicionit politik dhe një sërë problem na kanë detyruar të emigrojmë dhe ndonjëhere të bëjnë dhe veprime të jashtëligjshme, të cilat nuk na përkufizojnë të gjithëve si një popull kriminel.
Politika dhe narrativa e saj qënka kudo e njëjtë dhe mesa duket as tek ju nuk bën përjashtim. Kur përballeni me keqmenaxhim dhe keq-qeverisje hallet tuaja ia ngarkoni më të dobëtit. E në këtë rast është më e lehtë të identifikosh shqiptarët si kriminelë sesa të pronosh dështimin dhe keqmenaxhimin e politikës që ke ndjekur. Për ironi të fatit, znj Baverman origjinën e saj, e ka nga një vend në të cilin një shqiptare e madhe në shpirt, në mendje, në zemër, ka lënë dhe vepra të mëdha. Anjeza Gonxhe Bojaxhi ose Nënë Tereza, besoj se ky emër ju thotë shumë znj. Baverman. Një emër qe e njeh e gjithë bota dhe ju e njihni znj Baverman, e jam i sigurt se i njihni më mirë se të gjithë, veprat e saj në Indi.
Nënë Tereza e filloi aktivitetin e saj të bamirësisë, e vetme, para mbi 50 vjetësh në në lagjet e varfra të Kalkutës, qyteti më i varfër dhe më i populluar i Indisë, por puna e saj ka prekur zemrat e njerëzve të të gjitha besimeve në gjithë botën.
Në vitin 1929, ajo shkoi në Kalkuta si një murgeshë e re e urdhrit të Loretos dhe ishte mësuese gjeografie në shkollën e Manastirit. 20 vjet më pas ajo hapi shkollën e pare në lagjet e varfra të Kalkutës dhe krijoi urdhërin e Misionereve të Bamirësisë që kishte shtëpi për viktimat e neglizhencës, varfërisë dhe sëmundjeve në gjithë botën. Ndjenja e saj e mirësisë dhe mëshirës, e bëri Nënë Terezën që t’u shtrinte dorën e ndihmës të varfërve, të uriturve dhe të sëmurëve me Sida dhe në vitin 1979 ajo mori Çmimin Nobel të Paqes. Ajo është nderuar nga shumë udhëheqës botërorë dhe fetarë, përfshirë Papën, kryeministrat indianë Indira Gandhi dhe Narasimha Rao, si edhe Mbretëresha Elizabeth që i akordoi asaj një nga çmimet më prestigjioze të Britanisë, Urdhrin e Meritës.
Një rikujtesë e domosdoshme për ju znj Baverman! Historia e këtij vendi të vogël ka prodhuar figura shumë të mëdha e me peshë kombëtare dhe ndërkombëtare. Emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili identifikohet si nga 5 strategët më të mëdhenj në botë, ju thotë gjë znj.Braverman?!
Po Ismail Qemali dhe Isa Boletini ju thonë gjë si emra znj.Baverman?! Emrat e eruditëve si vllezërit Frashëri, apo si Gjergj Fishta dhe Fan Noli ju thonë gjë znj.Baverman?! Po shenjtorja Nënë Teraza ju thotë gjë znj.Baverman ?!
Secili që mendon si ju znj Baverman që Shqipëria është vend kriminelësh, gabohet shumë rëndë. Të hapë librat e historisë dhe të lexojë që një vend i vogël me plot halle ka prodhuar figura të mëdha. Mos u fshihni pas narrativës boshe për të bërë pis, një vend i cili nuk e meriton këtë identifikim.
Sepse vendi i Nënë Terezës, nuk është vend kriminelësh znj.Baverman./dritare.net

















