Violinisti i rrugës në Gjermani dhe një këshillë për artin!
Dritare.net
Nga Malvina Tare
Familjarisht mezi e prisnim të premten kur Luiz Ejlli konkuronte tek “Ethet”. Sado i mungonte paraqitja skenike, zëri ia mbulonte difektet me shumë simpati. Të rinj me energji, talent, vullnet, garues, por të denjë. Sot, Luizi, pjesë e një loje për të shpikur histori televizive.
Nga ana tjetër një kast aktorësh nuk dinë se ku të performojnë. Në teatër s’ju shkon kush. Ku më mirë se në një format 24 orë të ndjekshëm, pasi instagrami është në pikën e rënies sa i takon tërheqjes së vëmendjes.
Arti është i vështirë, por që të mbetet i tillë duhet të luftojë pa kompromise. Duhet të bëhesh personazh, lufto, kërko, sfido. Sfido realitetin e shumëkujt që nuk shkon më në teatër.
Sfido regjisorët, producentët, dil interpreto në shesh si artistët në Firence. Jo, ata nuk janë të gjithë refugjatë, apo barbona që duan të mbledhin disa monedha. Shumë prej tyre janë artistë. Performojnë në rrugë. Firence, Venecia, Paris, Berlin.
-4 gradë Celsius në Osnabrueck, një qytezë e Gjermanisë perëndimore. Ora 6 i pasdites, një grumbull njerëz ishin rreth një burri moshë e mesme që performonte me violinë. Ai kishte krijuar skenën e tij. Vetëm me tingujt e violinës që të ngrohnin shpirtin në -4 gradë Celsius.
Kështu që, artistë mos u përhumbni në morinë e audiencës televizive, për atë kemi kuvend e parlament, e seli PD. Mbroni artin tuaj, mësoni ta lartësoni atë. Në foto është Slava Pankov, violinisti në Osnabrueck. Atëherë nuk isha gazetare dhe vetëm foto bëra, por intervistat e tij i keni te Noz.de./dritare.net