Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Xhaka duhet të vishte edhe Ibrahim Rugovën!

Xhaka duhet të vishte edhe Ibrahim Rugovën!

Nga Ermal Peci

Sa herë zhvillohet Kupa e Botës, emocionet shtohen, adrenalina rritet dhe sytë e botës kthehen drejt një stadiumi. Botërori i Katarit si asnjëherë tjetër po luhet në prag festash dhe për më shumë në fillim dhjetori si asnjëherë tjetër. Po zhvillohet midis risive, rregullave strikte, por edhe të papriturave të mëdha, si përjashtimi i Gjermanisë apo dhe përplasja në grupe midis Zvicrës dhe Serbisë.

Politika dhe futbolli duhet të jenë dy drejtëza paralele, të cilat kurrë nuk duhet të përputhen. Drejtëza të kithta që nuk duhet të jenë kurrë bashkë por që sa vite ka historia futbollit gjithmonë këto drejtëza bashkohen dhe krijojnë një ekuacion të pashmangshëm. Nuk njeh përjashtime sepse plagët e shkaktuara nga politika edhe kur mbyllen janë të destinuara të lënë shenjë. Shenjë që do të kujtojë çdo herë tre pyetjet në mendjet e njerëzve: Çfarë ndodhi? Si ndodhi? Kush qe fajtori ?

Fatkeqësisht edhe futbolli që ka fuqi të mbledhë një botë të tërë rreth një fushe me një top dhe të japë impaktin global për frymën e bashkëpunimit dhe mesazhe paqedashëse që përcjell nuk arriti dot t’i shmangë tensionet në ndeshjen Zvicër kundër Serbisë. Një ndeshje që prodhoi tension vetëm se në ekipin e Zvicrës luanin dy lojtarë me origjinë shqiptare, të cilët janë kollonat kryesore të këtij ekipi.

Xhaka duhet të vishte edhe Ibrahim Rugovën!

Konteksti historik, gjeopolitika dhe nacionalizmi që qarkullon në venat e çdo individi e tejkaloi pasionin për ndeshjen edhe pse FIFA kishte marrë masa me qëllim parandalimin e situatave tensionuese në rast goli, si përshembull festimi i golit me stemën e shqiponjës, gjë që realisht duket absurditet, por mesa duket Shaqiri dhe Xhaka kishin menduar dhe gjetur një formë tradicionale për të simbolizuar shqiponjën. Gjithçka deri këtu ishte mëse normale, por duke ardhur minutat e fundit ndeshja filloi të tensionohet dhe kësaj radhe lojtarët e Serbisë nuk kishin Taulant Xhakën, në momentin epik midis Serbisë kur luante kundër Shqipërisë në vitin 2017, si vend mikëpritës, por që syri nuk ju tremb kundrejt jo një ekipi, por kundrejt një stadiumi për të mbrojtur flamurin kombëtar dhe na ngriti zemrat mal për krenarin dhe atdhedashurinë e treguar, por kishin të vëllanë, Granit Xhakën, i cili pati përsëri shkëndija të një historie që nuk harrohet.

Shqipëria më 28 Nëntor vetëm disa ditë më parë festoi pavarësinë e saj, por kjo datë është dhe lindja e Adem Jasharit, njeriut i cili dha gjithcka për Kosovën. Një datë që ka një simbolikë të madhe për ne shqiptarët, një datë me të cilën krenohemi. Kjo datë e ka frymëzuar dhe Granit Xhakën, që në fund të ndeshjes pas fitores të veshi bluzën me emrin e shkruar të Adem Jashari në nderim të veprës dhe sakrificës sublime që ky njeri bëri për pavarësinë e Kosovës. Një veprim i racional duke gjetur dhe pretekstin për mos të marr dënim nga FIFA e penalizuar ekipin e tij të Zvicrës.

Mesazhi për trevat shqiptare edhe botën ishte i qartë si uji i kristalt që buron ne Alpet e Rugovës, por të ishte më kuptimplotë në atë bluze do të duhet të ishte dhe Rugova. Duhej të ishte edhe Ibrahim Rugova që e gjithë bota ta lexonte emrim e tij dhe të njihej me veprën e tij. Intelektualin, mendimtarin dhe politikanin,i cili udhëhoqi popullin e Kosovës në momentet e vështira para dhe pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.

Bota duhet të dijë që ajo pavarësi nuk u fitua vetëm me pushkë, por edhe me penë. Që jemi një popull jo vetëm trim, që rrëmbejmë armët kundrejt pushtuesve, padrejtësisë, por përfaqësohemi me njerëz intelektualë, me vlera, me penë, që kanë kontribuar në pavarësinë e vendit nëpërmjet shembullit të tyre. Njeriu, i cili me urtësi dhe vullnet kishte përcaktuar dhe shënjuar rrugëtimin që do të duhej të merrte Kosova. Ai e dinte që “NE” Evropës duhet t’i tregonim se dinim të bënim shtet. Ai e dinte se me besimin në Zot dhe me vullnet ne do të arrinim pavarësinë. Kjo ishte një arsye se pse Granit Xhaka duhet të kishte veshur edhe Ibrahim Rrugovën.

Ndërsa sytë e botës ishin mbi atë stadium dhe ajo ndeshje do të flitet gjatë dhe bota do të duhet të njohë Gandin e Ballkanit, Ibrahim Rrugovën. Siç thoshte dhe AT Zef Pllumbi për Rugovën: “U sha e u luftua nga serbët, u sha e u luftua nga shqiptarët, u sha e u luftua e nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm Vizionin Evropian. Ky trim nuk e çau kryet për kurrnji kritikë e të shame se ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve”. Se ishte më i dituri nga të gjithë, bota duhet ta njohë veprën e tij. Duhet të njohim dimesionin e një njeriu të madh, i cili besonte në fuqinë e fjalës./dritare.net