Na ndiqni edhe në

Shqip

Ben Andoni: Shumica e protestuesve nuk dalin në shesh për Zvërnecin, por për hallet e tyre!

Ben Andoni: Shumica e protestuesve nuk dalin në shesh për

Analisti Ben Andoni u shpreh se protestat e zhvilluara ditët e fundit për Zvërnecin, po tregojnë një nivel të lartë pakënaqësie qytetare, por ende nuk kanë arritur të artikulojnë një projekt të qartë politik për ndryshimin e situatës.

Sipas tij, pjesëmarrja e lartë në ditët e para tregoi ekzistencën e një pakënaqësie të akumuluar në shoqëri, ndërsa fluksi i protestuesve u rrit gradualisht për shkak të problemeve të shumta që qytetarët hasin në përballjen me administratën dhe institucionet.

Andoni tha se shumica e njerëzve që dalin në protestë nuk bashkohen domosdoshmërisht rreth një programi të përbashkët, por rreth problemeve personale dhe zhgënjimit ndaj sistemit.

“Shumica e njerëzve që dalin aty nuk dalin për protestën në vetvete, por për problemet e tyre. Ka një lloj solidariteti social që i bashkon,” tha ai.

Duke sjellë në vëmendje shembullin e protestave studentore në Serbi, Andoni argumentoi se entuziazmi i madh nuk mjafton për të prodhuar ndryshim politik. Sipas tij, protestat kanë nevojë për figura që të artikulojnë qartë objektivat, reformat dhe mënyrën se si do të realizohet transformimi i sistemit.

Analisti paralajmëroi se mungesa e një platforme konkrete mund të çojë në lodhje të protestuesve dhe humbje të energjisë fillestare. Ai vlerësoi se aktualisht në protestë po dominojnë sloganet dhe shprehja e pakënaqësisë, ndërsa mungojnë propozimet konkrete për ndryshim.

Andoni shtoi se protestat kanë goditur veçanërisht opozitën tradicionale, duke argumentuar se ajo është përballur me një sfidë që nuk e kishte parashikuar. Sipas tij, protestat kanë krijuar një situatë të re politike ku pakënaqësia po drejtohet jo vetëm ndaj qeverisë, por ndaj gjithë klasës politike.

Në fund, ai theksoi se sfida kryesore mbetet kalimi nga protesta si shprehje e mllefit qytetar në një lëvizje që artikulon qartë alternativën dhe mekanizmat e ndryshimit./dritare.net