Ministri Çeku: Dy qeveritë shqiptare duhet të bëjnë më shumë për librin. Kemi vetëm një letërsi, atë shqip!
Dritare.net
Libri do të jetë një nga sektorët me më tepër prioritet për Ministrinë e Kulturës së Kosovës. Kështu u shpreh ministri Çeku në Shqip me Rudina Xhungën.
“Nëse ka një fushë ku dy qeveritë shqiptare duhet të bëjnë më shumë është libri, komuniteti i librit, shtëpitë botuese. Kosova blen shumë libra nga Shqipëria. Nuk e di se ka letërsi të Kosovës e Shqipërisë, është letërsia shqipe. Ne së pari jemi kombi i gjuhës. Në këtë aspekt shoh shumë potencial për të krijuar struktura të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë për librin, sesa fushat e tjera. Nuk dua të besoj që interesi i industrisë është ai që e vonon këtë proces. Gjatë këtij viti duhen përpjekje maksimale që në libër të performojmë shumë mirë. Në Kosovë për herë të parë në vitin 2023 është ndarë fondi prej 1 milion euro për librin.
Buxheti i Ministrisë së Kulturës në Kosovë këtë vit është rritur 40 përqind më shumë.
Tani është duke u përgatitur skema sesi do të shpërndahet ky buxhet, por prioritet kemi blerjen e librit, nxitjen e autorit, etj.”, tha ai në Dritare Tv.