Na ndiqni edhe në

Shqip

Çeku: E rritëm në 2 milionë euro buxhetin për filmin. Kinematografinë e kemi shpallur sektor me rëndësi të veçantë

Çeku: E rritëm në 2 milionë euro buxhetin për filmin.

Ministri i Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku në "Shqip" me Rudina Xhungën rrëfeu se Kosova e ka shpallur kinematografinë si një sektor me rëndësi të veçantë, teksa tregoi se qeveria e Kurtit e ka çuar në 2 milionë euro buxhetin për këtë sektor.

Pjesë nga biseda:

Rudina Xhunga: 2023 çelet me një lloj fitoreje për ju

Çeku: Këtë e kemi reflektuar në buxhetin e kulturës. Kemi rritje goxha të konsiderueshme. Për t’ju dhënë një shembull, sepse jemi shumë të mirë dhe në kinematografi. Ne si qeveri e kemi gjetur filmin me rreth 700 mijë euro buxhet vjetor, tashmë, sivjet e çojmë 2 milionë euro buxhet për kinematografinë.

Jam shumë i lumtur që kemi goxha bashkëpunim edhe në kinematografi mes Prishtinës e Tiranës.

Filmin po e shpallim si sektor të interes të veçantë publik, vëmendje të shtuar të gjithë qeverisë për filmin. Rrallë gjen festivale ku nuk fitojnë një çmim filmat e kineastëve të Kosovës.

Besojmë në potencialin industrial të filmit, ndaj në ligjin e ri kemi përfshirë për herë të parë, rimbursimin e investimeve në film. Pra, kushdo produksion i huaj që vjen bën film në Kosovë ne ua kthejmë 30 përqind të këtij investimi. Të njëjtën po bën edhe Shqipëria. Është një lloj gare rajonale kjo, sepse Ballkanin mund ta ofrojmë edhe si paketë.