Na ndiqni edhe në

Shqip

Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku: Duhet t’i luftojmë të gjitha barrierat mes Shqipërisë e Kosovës, sidomos ato mendore!

Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku: Duhet t’i luftojmë

“Shqip” me Rudina Xhungën është rikthyer këtë Vit të Ri që sapo ka trokitur, me një të ftuar të veçantë nga përtej kufirit, me ministrin e Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku. Në pjesën e parë të bisedës në studion e Dritare Tv, Çeku tregon disa nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të Kosovës që shenjuan jetën artistike në të dy anët e kufirit.

Pjesë nga biseda në Shqip:

"Kosova vijon t’i prijë listës së turistëve në Shqipëri dhe kjo ka hapur edhe shumë kanale të tjera, megjithatë kultura do t’i ketë efektet më të qëndrueshme të këtij afrimi, të këtij bashkimi. Unë jam shumë i gëzuar që po lëmë pas një vit që kishte goxha shumë shkëmbim kulturor. Ende nuk jemi aty ku duhet të jemi dhe unë besoj se aty ku duhet të jemi më nuk flitet për bashkëpunimin, por do të jetë e zakonshme ideja e një prodhimtarie kulturore që bëhet në hapësirën e Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk quhet më bashkëpunim po bëhet e zakonshme, bëhet normalitet.

Ka shumë barriera duke nisur nga ato administrative dhe burokratike.

Varet nga strukturat e krijuara në të kaluarën. Strukturat ndonjëherë janë institucionale, ndonjëherë dinë të jenë edhe mendore dhe duhet t’i luftojmë të gjitha së bashku.

Viti që lamë pas më mbushi me shumë optimizëm.

Kishte bashkëpunim në disa nivele. Edhe institucionet publike të kulturës dhe artit e trashëgimisë kulturore kishin një bashkëpunim të intensifikuar. Por mbi të gjitha edhe skena e pavarur, artistët e pavarur, shoqatat, kishin një mobilitet të rritur. Kishte shumë nga Shqipëria që vinin për të performuar në Kosovë dhe e kundërta. Po hapen shumë kanale, ndonjëherë nuk është me ndërmjetësimin e institucioneve shtetërore, sepse artistët e takojnë njëri-tjetrin, e tërheqin njëri-tjetrin dhe bëjnë krijimtarinë bashkë. Ky vit që filloi, duhet të na sigurojë një mobilizim shtesë institucional për të arritur deri në pikën ku ne synojmë së bashku", tha Çeku në "Shqip" me Rudina Xhungën/ J.H/dritare.net