
Në 1963-shin u shpua pusi i parë në Shpirag. A u gjet naftë? Ja çfarë thotë gjeologu!
Dritare.net
Inxhinieri i naftës Gjergj Foto i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për debatin e madh për Shpiragun dhe faktin që aty nuk u gjet naftë. Profesor Foto tregon historinë se si u shpua për herë të parë në 1963-shin një pus nafte në Shpirag, që asokohe quhej Sqepuri 6, por projekti dështoi për faj të sizmikës.
“Puna për kërkimin e naftës në zonën e Sqepurit 6-të ka filluar që në vitin 1963. Nga 1971-shi deri në 1993-shin unë kam qenë anëtar i Këshillit Shkencor dhe kam mbajtur shënim çdo të dhënë të projektit për Sqepurin 6-të. Një nga autorët dhe projektuesit e pusit të Sqepurit të 6-të ishte Hasan Bakia. Bakia drejtonte studimin që do të rezultonte ose jo me naftë. Ai iu mbushi mendjen anëtarëve të Këshillit Shkencor që ky pus duhet të shpohet sepse mund të gjendej një vendburim nafte.
Projekti u bë, u pa në Këshillin Shkencor, shkoi në ministri, u bë shpimi, por nk u arrit të kapej naftë. Ai u lut që të thellohej akoma më shumë pusi sepse të dhënat tregonin që atje do të krijohej një kurth ku mund të grumbullohej nafta. Por doktoratura e sizmikës gaboi sepse nuk dha nivelin e caktuar. Bakia insistonte që të shtohej pusi akoma. Nuk e kapi për 200 metra, u shtua deri në 1000 metra. Sipas Hasanit pusi ka mbetur 50 metra mbi kurthin, që do krijonte mundësinë të mblidhej nafta. Në një mbledhje me Pali Miskën që ishte ministër, Hasan Bakia i lutet duke qarë, në 1988-ën: “Më jepni mundësinë që të projektoj një pus tjetër, për ta kapur më cekët.” Ai ishte aq i bindur sa nuk dyshonte që atje do krijohej kurthi për grumbullimin e naftës. Ai premtoi se: “Nëse nuk e kap kurthin unë pranoj të varem.” Pra ai ishte absolutisht i sigurt, por nuk ia dhanë mundësinë sepse shteti kishte rënë, nuk kishte më fuqi dhe ekonomi. Në 1989-ën hynë kompanitë e huaja. Gjeologia e naftës është si gjuha e nënës. Mund të vijnë të huajt, por nuk e dinë gjuhën e tokës sonë, edhe ata do të dështojnë, siç dhe kanë dështuar.”, tregon profesor Gjergj Foto në DritareTV./K.C/dritare.net

















