Na ndiqni edhe në

Shqip

Roland Bimo: Shqipëria e sheh BE-në si bankomat dhe jo si sistem rregullash

Roland Bimo: Shqipëria e sheh BE-në si bankomat dhe jo si sistem

Prej vitit 1992, integrimi në Bashkimin Evropian ka qenë lajtmotivi absolut, premtimi utopik dhe refreni i pandashëm i politikës shqiptare. Megjithatë, pas më shumë se tre dekadash, mënyra se si elita politike dhe shoqëria shqiptare e perceptojnë këtë proces mbetet thellësisht e gabuar dhe penguese. Në vlerësimin e diplomatit dhe analistit Roland Bimo, në Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, Shqipëria ka krijuar një keqkuptim total mbi thelbin e BE-së, duke u sjellë me të njëjtin mentalitet të vjetër që refuzon rregullat, ndërkohë që ëndërron privilegjet ekonomike të hyrjes në këtë 'klub' ekskluziv.


Problemi i parë dhe më i rëndë i integrimit shqiptar është kthimi i këtij procesi në një 'top loje' (instrument) për luftën politike të brendshme. Të gjitha palët politike kanë tentuar ta përdorin Bashkimin Evropian si mjet shantazhi për njëra-tjetrën. Paradoksalisht, ndërkohë që palët zihen se 'kush na futi dhe kush na nxori' nga Evropa, mungon thelbi: ndërtimi i shtetit të së drejtës në shtëpinë tonë. Bimo vëren me hidhërim se në Shqipëri, shpesh nuk ndihet fare aroma e 'Bashkimit Evropian'. Ai i referohet jo institucioneve të Brukselit, por standardeve të jetesës: në mënyrën se si funksionon administrata publike, në edukatën në trafik, në funksionimin e bizneseve, e mbi të gjitha në raportin që qytetarët dhe politikanët kanë me shtetin dhe ligjin. Ne nuk mund të vazhdojmë të sillemi me anarkinë e shekujve të kaluar dhe të presim të anëtarësohemi në struktura të disiplinuara teknike.

Një nga dobësitë thelbësore të Shqipërisë, ashtu si e gjithë strukturës ballkanike, është raporti me lekun dhe me menaxhimin. Për shumëkënd, hyrja në BE nuk shihet si një proces emancipimi dhe rritjeje të përgjegjshmërisë institucionale, por thjesht si akses në një bankomat vigan, ku shkohet për të marrë para falas përmes fondeve strukturore, me shpresën për të jetuar mirë pa punuar shumë. Ndërkohë, BE në thelb është një makineri e madhe organizative dhe menaxhuese; është aftësia për të koordinuar rolet në shoqëri, për të ndarë institucionet që menaxhojnë nga ato që kontrollojnë, në mënyrë që askush të mos shpërdorojë paranë publike apo vjedhë asetet shtetërore.

Së fundmi, por më e rëndësishmja, rruga e Shqipërisë drejt perëndimit bllokohet nga mungesa e plotë e kulturës së kompromisit politik. Demokracia europiane bazohet te kapaciteti i palëve kundërshtare për t'u takuar në gjysmë të rrugës. Në Shqipëri operohet ende me mentalitetin ballkanik lindor: fituesi i merr të gjitha dhe humbësi shkatërrohet. Nëse palët politike shqiptare nuk arrijnë të ulen dhe të bëjnë kompromis për reformat jetike, nëse nuk kuptojnë se asnjë palë nuk mund të marrë çdo gjë me forcë, atëherë dera e Europës do të mbetet një mirazh. Bimo e përmbledh qartë: nëse politikanët shqiptarë do të mësonin të bënin lëshime të ndërsjella dhe të respektonin shtetin ligjor, Shqipëria do të ishte anëtare e Bashkimit Evropian që nesër. Deri atëherë, mbetet thjesht një peng i rrethit vicioz të fajësimeve politike./K.C/dritare.net