Si shpërtheva kangjellat e Ambasadës Italiane, me kamion!
Dritare.net
Shkëlqim Emini nga një kamp azilantësh nga Belgjika, rrëfeu në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, për shpërthimin e ambasadës italiane, më 2 korrik të 1990. Emini tregoi se ishte ai personi që shpërtheu ambasadën me një kamion të rrëmbyer, bashkë me një grup djemsh të tjerë.
Ai rrëfeu me detaje se si për shkak të historisë së jetës së tij, si një ish i përndjekur politik, fati i të cilit ishte në burg, mori vendimin për të shpërthyer ambasadën.
“Një grup djemsh vodhën diçka dhe bashkë me ta ishte edhe emri im. Më erdhi fleta e gjyqit dhe shkova në gjyq. Më akuzuan si bashkëpunëtor me 7 djemtë e tjerë. Por unë nuk isha me ta. Ata u dënuan sepse ishin përsëritës, ndërsa unë nuk u dënova. Mora një masë dënimi për të punuar në fabrikën e çimentos. Po të shkoja atje do të humbja punën në kombinatin ushqimor, kështu i mbajta të dyja punët. Deri në një farë kohe ndodhi kështu pastaj u lodha dhe e lashë punën te fabrika e çimentos. Pas disa muajsh, ishte viti ‘90 para muajit korrik, më vjen fleta e gjyqit që të paraqitesha në gjyq.
Pritej që të arrestohesha, sepse kisha lënë punën në fabrikën e çimentos, që e kisha si masë dënimi. I pafajshëm isha, të shkoja në burg për mua ishte një dënim i jashtëzakonshëm. Kështu mora vendimin bashkë me 7 persona në datën 2 korrik 1990, ishte ditë e hënë, kam shpërthyer ambasadën italiane me kamion.
Te rruga Elbasanit shoferi i një kamioni kishte lënë mjetin aty dhe ishte te një berberhane. Bashkë me shokët rrëmbyem kamionin, u nisëm drejt ambasadës. U futëm nëpër lagje drejt ambasadës, të gjithë bashkë shpërthyem ambasadën. Më 2 korrik në orën 10:00. Në atë kohë në shpërtheva ambasadën të gjithë dolën me vrap. Vetëm unë isha në timon.
Para 2-3 ditësh Fatos Kaceli bashkë me disa shokë tonë të tjerë, patën hipur në kamion të Fatosit, e kishin afruar kamionin tek ambasada dhe ishin hedhur të gjithë nga muri. Por për të shpërthyer e kam shpërthyer unë”, u shpreh Shkëlqim Emini në Dritare TV./L.F-dritare.net