

Gjovalin Shkurtaj, studiues i gjuhës dhe letërsisë shqipe i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga tha se gjuha shqipe, është ajo që na bashkon kudo qofshin shqiptarët.
Zoti Shkurtaj theksoi se shqiptarët e kanë pasur të nevojshme të përshtaten dhe të mësojnë gjuhë të huaja për shkak të mbijetesës, por kjo nuk duhet të ndikojë në ruajtjen e gjuhës shqipe.
“Duhet ta duam gjuhën shqipe, këtë element që na bashkon kudo jemi. Ajo që ka trajtuar para meje profesor Çabej, unë jam përpjekur modestish ta mbaj gjallë, ta çoj paksa edhe më përtej në lëndën e sociolinguistikës, është që gjuha ka dy elemente: Është gjuha e zemrës dhe gjuha e bukës. Shqiptarët për të ngrënë bukë kanë qenë dhe janë të detyruar të mësojnë gjuhët e huaja, të flasin dhe shkruajnë gjuhë të huaja. Por secili prej tyre ia ka ëndja të flasë shqip. Kam dëgjuar një ditë nga një emision që një zonjë nga Mirdita thoshte: “U kanë vënë cuve (djemve) emna të këqij”. Pra, populli në përgjithësi kur ka lindur djali apo vajza, u kanë vendosur emrat e gjyshërve me qëllim që të trashëgohen. Në lëndën e sociolinguistikës, një studente nga Korça më ka ndihmuar që këtë ta shikoj që është një traditë jo vetëm e Shkodrës, Malësisë por edhe e Jugut. Domethënë shqiptarët kanë pasur dëshirë ta ripërtërijnë emrin. Kështu janë ruajtur emrat e shqiptarëve.
Është një traditë jo vetëm e jona, por së fundmi tek ne po ndikon shumë fryma evropiane.
Pra, nuk besoj se duke i vënë një emër të huaj Kevin, ai do të bëhet patjetër si Kevin Costner. Problemi është të shfrytëzojmë Kevin-at tanë. Kur dëgjoj Saimir Pirgun që këndon nëpër skenat mbarë botërore un nuk ndjej kënaqësi vetëm se janë të famshëm, por dhe sepse kanë emra shqiptar dhe lartësojnë vendin nga ata vijnë”, tha studiuesi./M.K-dritare.net

















