Fitoi medaljen e artë në Tokio2020/ Rita Ora: Pafund krenare për Distria Krasniqin
Dritare.net
Xhudistja Distria Krasniqi fitoi sot medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Nuk munguan urimet për xhudisten nga personalitete të njohura. Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare Rita Ora e uron në rrjete sociale, ndërsa publikon mesazhin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
Mesazhi i presidentes Osmani!
“Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike. Nder, krenari e lumturi e papërshkrueshme.
Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës.
Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë. Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës. Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo!”
Ndërsa Rita Ora shkruan se ndihet shumë krenare për arritjen e Distria Krasniqit.
“Urime Distria Krasniqi! Kosova lë gjurmë në “Tokio 2020”. Distria Krasniqi fiton medaljen e artë olimpike.”, shkruan këngëtarja./K.C/dritare.net