Na ndiqni edhe në

Editorial

Çfarë nuk tha gjenerali Wesley Clark!

Çfarë nuk tha gjenerali Wesley Clark!

Nga Dritan Hila

Parë me syrin që të jep largësia në kohë dhe si është situata sot në botë, fakt që e përmendi edhe Clark në fund të dëshmisë së tij, aksioni amerikan i para 26 viteve ishte një ngjarje e cila nuk kishte ndodhur më parë dhe nuk do të ndodhë edhe për shumë kohë.

26 vite më parë, një shtet 4 herë më i madh sesa Kosova (4 herë më e madhe është edhe Rusia krahasuar me Ukrainën), u sul që të mbyllte hesapet me një qendër irredentizmi dhe kokëçarjesh, duke spastruar popullsinë kundërshtare dhe lënë pakicën konformiste.

Në ato mote Kosova ishte ku e ku më keq se Ukraina sot.

Ca më keq se Ukraina që ka një shtet dhe para fillimit të luftës ishte fuqia e 22-të ushtarake në botë, Kosova ato mote kishte vetëm vullnetin dhe guximin (mbase edhe çmendurinë) e një grushti të rinjsh që ose të çliroheshin ose “ta bënin dekën si me le”.

Në ndryshim nga Ukraina e cila pati që në fillim përkrahjen e perëndimit, në fundvitet e shekullit të XX-të, Serbia ende gëzonte simpatitë e perëndimit dhe të së majtës evropiane.

Çlirimtarëve të Kosovës u duhej të përballeshin me paragjykimin e tyre nga terroristë deri në fundamentalistë islamikë, paragjykim që e shlyen me mund e gjak të madh.

Ndryshe nga Ukraina, e cila që në ditët e para u përkrah me armatim dhe logjistikë, shqiptarët e UÇK-së u armatosën me kallashët e ndryshkur që i blinin sa frëngu pulën.

Dhe në ndryshim nga Zhelenski që vinte nga komedia, djemtë e UÇK-së vinin nga drama e rrahjeve, persekutimit të identitetit të tyre kombëtar, burgosjet, dhe përbuzja.

Për një fat të vendosjes së yjeve, amerikanët tërhoqën zvarrë gjithë Evropën që të mbronin një popull të mjerë, të varfër, pa miq, të harruar në një cep të historisë.

Në një botë që po zdërhallej në kënaqësinë e një fitoreje mbi bllokun lindor, të cilës nuk i bënin më përshtypje masakrat si ato të Somalisë, Ruandës, apo ish-Jugosllavisë, të çoje në luftë për një cep të harruar të Evropës, aleancën më të madhe që ka njohur bota, për një vend ku nuk kishte asnjë interes ekonomik apo strategjik, ishte meritë e disa kokave në SHBA, të cilët dolën mbi rregullat e akullta të realpolitikës.

Këtë nuk tha Clark, ish-komandanti i NATO-s që edhe për të çuar avionët në ajër duhet t’i mbushte mendjen aleatëve, ku secili kishte procedurat e tij, e të gjithë niseshin me zemër të thyer të bombardonin një vend që thellë në zemër e donin.

Pa vullnetin amerikan, UÇK-së do mbetej një lëvizje guerile që mund ta kthente Ballkanin në rajon të destabilizuar, por që Kosovën do ta linte tokë të djegur dhe Shqipërinë në teh të krizave.

Si një kavalier i vërtetë, si një shok armësh, 80-vjeçari Clark, njeriu më i fuqishëm i viteve 90-të, e solli në sytë e gjykatës UÇK-në si një krijesë të vyer të lirisë dhe drejtësisë, si një partner të barabartë të fuqisë më të madhe të gjithë kohërave. Fundja kavalierët nuk të matin nga fuqia e numrave, por nga masa e vlerave. Dhe parë me këtë sy, UÇK-ja ishte një aleate e denjë e NATO-s.

26 vite më vonë, për fat, UÇK-ja nuk zhgënjeu aleatët e saj. Liderët e saj mbetën një shembull i luftëtarëve të lirisë, duke bërë që personalitete si Rubin apo Clark të merrnin rrugën e të dëshmonin se liria ka emër, emër të papërlyer./dritare.net