Na ndiqni edhe në

Editorial

Komedia e teatrit të Durrësit

Komedia e teatrit të Durrësit

Nga Dritan Hila

Tashmë të mbash llogarinë e kundërshtarëve të Berishës që kërkojnë t’i marrin partinë, është listë e gjatë. Sikurse fundi i tyre është ose të harruar ose të rikthyer në gjirin e tij, por gjithmonë sipas kushteve të Berishës.

Kjo e fundit, e Salianjit, është që në start më e dobët sesa të tjerat. Pavarësisht entuziazmit të atyre që kanë inat Berishën, salla e mbushur me dëgjues nuk thotë asgjë, pasi të tjerë i kanë mbushur edhe më shumë. Madje edhe një lëvizje si “Thurje” para ca vitesh, bëri disa aktivitete të tilla duke mbushur salla në disa qarqe të vendit, për të përfunduar në shifra mizerabël në votime.

Sa i takon lëvizjes së fundit, është diçka mes komikes dhe tragjikes. Tragjike pasi realisht vendi ka nevojë për një lëvizje që të jetë kërcënim real për pushtetin e Ramës.

Komike, për shumë arsye. Le të fillojmë nga fundi: dishepujt e saj janë vërtet të votuar nominalisht, por gjithmonë nën siglën e PD-së, dhe kjo do të thotë shumë. Asnjëri nuk e di sa i vlen lëkura pa atë kostum. Lajket e rrjeteve sociale, apo inkurajimet e tipi “bjeri se na ke pas”, kanë treguar që nuk përkthehen në vota.

Po ashtu secili prej panelistëve, është sponsorizim i vetë Berishës apo Bashës, ku secili është marrë nga profesioni civil apo me rekomandim biznesmenësh, për të bërë një make up të PD-së, por zor se gjen mes tyre politikanë race. Koha ka treguar se kur të heq prizën Berisha, të gjithëve u ka ikur mbështetja. Basha ishte rasti më tregues, ku megjithëse pati mbështetës dhe struktura, u dorëzua pothuajse pa luftë nga sulmi i Berishës.

Gjuha e rishtarëve për kreun e PD-së nuk thotë asgjë. Denoncimet klishe të “qeverisë së korruptuar”, të “narkoshtetit” etj, i bën më mirë Berisha. Madje Berisha i citon me emra, u vë nofka, qofshin këta ministra, kriminelë, apo oligarkë. Këta të fundit në fakt në mënyrë selektive.

Asnjë program ndryshe nga sa ka paraqitur PD-ja nuk u dëgjua në Durrës. E vetmja që të vret veshin është “hapini rrugë të rinjve”. Çka tregon që jo nga historia, por as nga Shqipëria, nuk kanë mësuar se rruga në politikë çahet me shpatë në dorë.

Dhe së fundi ajo që e bën të gjithën të stisur, është frika të përmendin se duan vendin e Berishës. Një kundërshtar i shefit nuk gjuan si skuth me parulla të tipit “nuk është faji i Berishës, por i atyre që e rrethojnë”, por tregon me gisht fajtorin dhe kërkon përballje me të. Shembulli më domethënës është Le Pen e cila vrau politikisht babanë biologjik dhe politik të saj për t’i marrë vendin, pa sjellë këtu shembullin e Berishës që sponsorin e tij, Ramiz Alinë, e çoi në burg, apo Ramës që e nxori jashtë loje me përplasje reale, edhe pse Nano nuk la mjet pa përdorur që të bëhej president, qoftë edhe duke çuar në humbje PS-në.

Takime si ato të Durrësit janë hermafrodit. Pastaj nëse kanë dalë të kërkojnë kokën e Flamur Nokës apo Albana Vokshit, janë në rregull./dritare.net