Na ndiqni edhe në

Editorial

Mbrëmja më e bukur e Verës, ishte në Kaninë!

Mbrëmja më e bukur e Verës, ishte në Kaninë!

Nga Rudina Xhunga

Kanina ka një nga kalatë më të padukura: “Po pse të vemi? Nuk ka asgjë.”- të thonë, kur i pyet a u ngjite në Kala.

Ajo është Kalaja që i dha nusen Skënderbeut. Dhe bashkë me nusen i dha pushtetin. “Stoli në gur, ku qëndroi Donika para se të bëhej Donika Kastrioti, është ende aty”- të tregojnë.

Aty, Vera Grabocka krijoi skenografinë, rreth atij stoli.

Mbrëmja më e bukur e Verës, ishte në Kaninë!

Mbi atë kala, duke i ndriçuar të gjithë e të gjitha me pluhur magjik të së shkuarës që e bënte të ngjante si ajo natë e fundit kur Donika iku. Plot me njerëz, me njerëz të bukur, me hare, nga ajo që ngjan e harruar dhe me klas si një darkë dasme tek Aranitët.

Hëna e skenografisë ndriçonte, po aq sa deti përplasej mbi mure. Një mrekulli e lojës së dritave që shtroheshin e shtriheshin mbi gurët ku ecën yjet e asaj nate.

Mbrëmja më e bukur e Verës, ishte në Kaninë!

Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu. Bashkë si kurrë më parë në një skenë Vlore, në tokën e të parëve. Veç e veç ata janë full booked, bashkë pastaj, bëhen të pamundur. Por kjo fjalë është e panjohur për Grabockën, ka qenë dhe do të jetë. Ndaj i bashkoi në atë skenë historie, aristokracie shqiptare dhe rreth tyre e për ta, krijoi ëndrrën e një nate vere. Në Vlorë, ku tjeter.

Mbrëmja më e bukur e Verës, ishte në Kaninë!

Mandej, tok me Aurela Gaçen i bëri të këndonin labçe dhe të realizonin një nga ato çaste që janë të përjetshme dhe të papërshkrueshme. Ato vetëm ndihen. Nuk tregohen.

Mbrëmja më e bukur e Verës, ishte në Kaninë!

Dhe ai djali i doktorit, siç e njohin në Vlorë, Kanani, mësues Luani i Lulekuqeve, Çercizi, Mato Gruda, Agroni, Bujari, partizani Meçe, Andrea, siç e njohin të gjithë, ishte në Kaninë për t’i thënë Vlorës, nuk të lashë kurrë.

Ia doli të prekë çdo kënd atë natë. Në atë skenë Kanine që i shkonte aq shumë. Ku dukej si të qe time traveler që thjesht po priste njerëz në shtëpinë e tij, në Kështjellën e Donikes.

Mbrëmja më e bukur e Verës, ishte në Kaninë!

Nuk ka një të dytë që mundet si Vera Grabocka të bëjë dhe skenën, dhe publikun, dhe shfaqjen, dhe aktorët, dhe spektatorët, bashkë, të tëra, në një të tërë.

Mbrëmja më e bukur e Verës, ishte në Kaninë!

Askush që del nga një shfaqje e Verës nuk është ulur kurrë në rresht të dytë. Ai është në skenë, aq e fortë është përfshirja që ajo ia del të krijojë. Ndaj të gjithë donin ftesë për atë natë dhe nuk di si, por të gjithë ishin aty.

Mbrëmja më e bukur e Verës, ishte në Kaninë!

Dhe kur shfaqja u mbyll dhe dritat ranë mbi rrugicat e ndërtuara enkas për atë natë dhe hëna u derdh mbi kala dhe fustanet e gjatë prekën gurët, aty u pa se të ftuarit dhe artistët nuk qenë vetëm. Gjithë kalaja ishte plot me njerëz që ishin ulur në tokë. Dhe shijonin në heshtje atë natë, pa ftesa. Fëmijë, gra, burra, të moshuar, sikur të ishin zgjuar nga gjumi i përjetësisë së kështjellës që u ringjall.

Mbrëmja më e bukur e Verës, ishte në Kaninë!
Ishte 31 gusht. Mbrëmja më e bukur e Verës.

Ps. Kush e mbështeti këtë shfaqje madhështore, i ka bërë Kaninës një dhuratë mbretërore!/dritare.net