Na ndiqni edhe në

Editorial

Rifillimi i një dashurie të harruar

Rifillimi i një dashurie të harruar

Nga Dritan Hila

Pati komente dhe debate të shumta për vizitën që Rama bëri në Itali: a patëm përfitime, a nuk patëm, a përfituam më shumë ne apo Italia? Kjo mbetet për t’u diskutuar në ditët që vijnë. Unë do të them opinionin tim dhe do ta nis nga fundi: a pati përfitime Italia? Po, Italia pati përfitime, edhe pse mund t’i kishte edhe pa marrëdhënien me ne.

Shpesh ne i shohim italianët me sy nënvlerësues, sepse vuajmë nga grandomania. Ndërkohë Italia është një ndër fuqitë e mëdha ekonomike të botës, një nga shtatë vendet më të industrializuara. Ka dhënë shumë për kulturën botërore; qytetërimi perëndimor është ndërtuar mbi kulturën romake, e cila është paraardhësja e Italisë së sotme. Helenët patën momente shkëlqimi dhe filozofë të mëdhenj, por romakët janë ata që formësuan botën me sistemin e tyre juridik dhe mënyrën se si organizuan qytetet. Ata ndërtuan ujësjellës, rrugë, një rrjet prej rreth 400.000 km, që shërbente për lëvizjen e legjioneve.

Por më shumë përfitime do të ketë Shqipëria. Italia mbetet një komb i madh që edhe sot ka peshë në shkencë, art, gastronomi, modë e industri. Edhe pse industritë e dikurshme të mëdha si FIAT-i apo Oliveti, tani nuk shkëlqejnë më, Italia ruan ekselencën në shumë fusha si kamionët, industria aerospaciale, ndërtimi i anijeve e të tjera. Italia mund të bëjë pa ne; për 50 vjet të komunizmit, as nuk e dinte nëse ekzistonim. Por fati ynë ka qenë gjithmonë pozicioni mes dy qytetërimeve të mëdha romak dhe grek.

A ishte vizita me leverdi për ne? Po, sepse risolli në jetë marrëdhëniet tona me Italinë. Shumë gjeopolitikanë në Itali kanë thënë në Senat se tërheqja e tyre nga Shqipëria krijoi një vakum të mbushur nga Turqia dhe SHBA. Për t’u rikthyer si fuqi mesdhetare, Italia duhet të ketë sytë nga Ballkani, dhe porta hyrëse e Ballkanit është Shqipëria. Kjo ka shtyrë Melonin dhe Salvinin të shohin sërish drejt nesh.

Kryesorja është që u takuam dhe rizbuluam lidhjet historike, një bashkëpunim që duhet ringjallur. Kontributi më i madh i Italisë, do të jetë roli i saj si sponsor për anëtarësimin tonë në BE. Italia deri tani nuk ka sponsorizuar asnjë vend në BE, ndryshe nga Gjermania që sponsorizoi vendet baltike apo Greqia Qipron. Mund ta kishte bërë me ne, por nuk na kishte në fokus. Sot kjo ka ndryshuar për shkak të interesit personal të Melonit për projektin e Gjadrit dhe bashkëpunimit tonë.

Italia e Melonit nuk është Italia e qeverive të mëparshme. Ajo ka lidhje të forta me Trump, dhe duke qenë se SHBA kanë pasur rol vendimtar për çdo hap të madh të Shqipërisë, për shembull për anëtarësimin në NATO, ky afrim është i rëndësishëm. Fjala e Melonit në Evropë do të ketë peshë.

Italia do të ndihmojë edhe në fuqizimin e mbrojtjes civile, fushë ku ne kemi shumë mangësi. Do të na japë pajisje, teknikë, njohuri.

Pika tjetër shumë e rëndësishme është krijimi i bazës në Pashaliman për prodhimin e anijeve. Italia sot është duke prodhuar aeroplanmbajtësen e saj të tretë dhe ndërton anije të klasit të lartë për SHBA. Pra, ka industri të fuqishme detare. Për këtë arsye, preferoj italianët ndaj kompanive të tjera: sepse kemi histori bashkëpunimi ushtarak, sepse ndodhen përballë nesh, vetëm 70 milje larg, dhe sepse logjistika është shumë më praktikë. Projekti parashikon prodhimin e shtatë anijeve, me mundësi zgjerimi.

Këto janë tre pikat kryesore të marrëveshjes dhe arsyeja pse ky takim shënon një rindezje të marrëdhënieve. Të tjerë udhëheqës para Ramës u përpoqën të arrinin këtë afrimitet, por nuk ia dolën. Nano nuk ia doli, Berisha nuk ia doli; gjatë atyre viteve ne trajtoheshim si “të padëshirueshmit” e Evropës. Madje edhe kalimi i TAP-it hasi kundërshtime nga qeveria e Berluskonit, gjë që na detyroi të jepnim koncesione të mëdha.

Rama ia doli, jo vetëm për aftësinë e tij, por sepse shqiptarët sot nuk janë më ata të viteve ’90. Janë rreth 600.000 në Itali, mijëra me biznese, shumica fuqi punëtore e kualifikuar. Kjo, e kombinuar me qasjen e Melonit, krijon një moment të ri politik dhe ekonomik.

Besoj se kjo vizitë ishte një nismë e mirë dhe një takim i rëndësishëm. Nuk ishte thjesht një dalje formale për të ngrënë pica apo mozzarella, të cilat, siç thuhet shpesh me humor, sot i gatuan më mirë Tirana sesa shumë qytete të Italisë, por ishte një shkëndijë për të rindezur një dashuri të vjetër./dritare.net