Na ndiqni edhe në

Editorial

Si vdiq e vetme dhe në varfëri “Marigoja e Flamurit”

Si vdiq e vetme dhe në varfëri “Marigoja e Flamurit”

Nga Rudina Xhunga

Është varri i një gruaje të madhe, i një zonje të madhe shqiptare. Ajo erdhi nga Korça, u martua në Vlorë dhe ia kushtoi jetën Rilindjes kombëtare e Pavarësisë së Shqipërisë. Quhej Marigo Pozio. Emri i saj përmendet zakonisht vetëm për një gjë – flamurin – sikur gjithë jeta e saj të ishte një fije e zezë mbi të kuqen e atij mëngjesi historik. Por Marigoja nuk ishte qendistare; ishte revolucionare. Ishte zë i grave, organizatore, botuese, qytetare aktive që besoi se Shqipëria e re ndërtohej edhe në kuzhinat e shtëpive ku fshiheshin librat shqip, edhe në sallonet e vogla ku mblidheshin gratë për të folur hapur, edhe në faqet e një gazete që mbante një emër të thjeshtë e të madh: “Shpresa”.

Historia e saj nis në Korçë e vijon në Muradie, në Vlorë, në shtëpinë ku u përgatit flamuri që do të ngrihej të nesërmen. Pa flamur, nuk do të kishte imazh të Pavarësisë; pa gra si Marigoja, nuk do të kishte flamur në ballkonin e shtetit të sapolindur. Pastaj ajo u sigurua që çdo institucion të kishte flamurin kombëtar – jo me dekret, por me vullnetin e një gruaje që e ndjente Shqipërine si përgjegjësi personale. Një grua që e pa kombin si punë të saj.

Por ka edhe një faqe tjetër: humbjet. Marigoja humbi fëmijët, njëri pas tjetrit, të vegjël. Pastaj humbi shëndetin. Pastaj varfëria i ngushtoi gjithçka. Dhe në fund humbi edhe veten, në heshtjen e një shoqërie që nuk dinte të mbante mend gjatë. U sëmur nga tuberkulozi, u lodh nga dhimbja, dhe vdiq e vetme, e varfër. Nuk pati dekorata, as pension veterani, as kortezh shtetëror. Pati vetëm kishën që e mori dhe e varrosi në Manastirin e Zvërnecit. Jo si nderim, por si strehë e fundit.

Shumë përpara vdekjes së saj, një zë publik u përpoq t’ia kthente dinjitetin: Kristo Floqi, njeri i afërt me familjen dhe nje ze i rëndësishëm për kohën, shkroi: Si ka mundësi që veteranët e pavaresise marrin pension, e vetmja që nuk merr është Marigoja? Përgjigjja nuk erdhi. Dhe Marigoja iku. Iku pa zhurmë, pa ceremonial, pa njeri pranë.

Marigo Pozio është prova se shtetndërtimi nuk bëhet vetëm me burra në podiume, por edhe me gra që qepin, ndihmojnë, botojnë, organizojnë, qepin flamuj që ngrenë burrat. Ajo është prova se harresa institucionale mund të mbulojë edhe më të qartën nga meritat, nëse nuk ka këmbëngulje nga publiku, nga mediat.

Sot, kur shkojmë në Zvërnec, shohim një manastir të bukur mbi ujë, një urë druri , një peizazh që të qetëson. Por atje prehet një ndër gurët e parë të themelit moral të Pavarësisë. Varri i Marigose nuk është thjesht një emër; është një provim. A kujtojmë? A dimë të pranojmë se shpesh kemi harruar gratë që na mbajtën shtëpinë, gjuhën, flamurin?

Prandaj, të themi gjërat siç janë: Marigo Pozio vdiq e vetme dhe në varfëri. U varros në manastir jo nga nderimi shtetëror, po nga boshllëku i tij. Ky fakt nuk na turpëron vetëm për të shkuarën; na pyet për sot. A do ta lëmë sërish kujtesën e grave të bjerë në heshtje? Apo do ta bëjmë pjesë të pandashme të rrëfimit tonë kombëtar?

Kur të shkoni në Manastir, merrni tre karafila të kuq. Siç bëra une sot. Vëreni te varri i Marigose dhe i thoni : “Nuk të kemi harruar, Marigo.” Nuk është thjesht gjest. Është premtim. Që historia jonë nuk do të jetë më një flamur pa emër, por një flamur me fytyra, me nëna, me gra që e mbajtën të kuqen ndezur dhe shqiponjën dykrerëshe të paprekur.

Kjo është historia e saj. Dhe është puna jonë ta rikthejmë Marigone në vendin që i takon. / dritare.tv

View this post on Instagram

A post shared by Dritare Tv (@dritare_tv)