
Nga Ermal Peçi
Në prag festash kisha vendosur të qëndroja larg sherrnajave politike dhe shkrimeve me kontekst politik, por mesa duket qenka e pamundur. Një deklaratë e Frida Krifcës për mbiprodhim dhe mungesë orientimi të tregut ka ngritur një stuhi mediatike-civile-politike, një stuhi e cila i ka të gjitha elementët e përfshirë përveç atyre që janë kryesorët, ekspertët njerëzit që i kanë kushtuar jetën ullirit dhe këtij profesioni. Stuhi në një gotë boshe mund të quhet kur profesionistët dhe njerëzit e fushës nuk shprehen dhe më pas amplifikohet zhurma për interesa politike dhe mediatike. Zhurmë në fakt që nuk i shërben fermerit dhe njeriut të punës.
Por le të analizojmë në fakt se çfarë tha Frida Krifca si Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural!
"Ne kemi një prodhimtari të lartë siç ju përmendni të vajit të ullirit, por dhe të prodhimit të ullirit. Rreth 20% e tij tregtohet aktualisht në vendin tonë si ullinj dhe 80% si vaj ulliri. Kemi pasur ndër vite një problematikë sistematike do të thoja të sektorit të bujqësisë me një mbiprodhim, me një mbi mbjellje të rrënjëve të ullinjve. Janë rreth 10 milionë rrënjë në të gjithë vendin, të cilët herë pas here janë mbjellë pa një strategji dhe pa një planifikim të qartë, të cilat sjellin më pas mbiprodhim në momente të caktuara, e cila nuk është shoqëruar njëkohësisht me strukturat e përpunimit, me fabrikat e përpunimit, pavarësisht se kemi rreth 250 të tilla aktualisht në vend, për të shoqëruar një përpunim të saktë, të rregulluar, me cilësi të lartë, me procese certifikimi ndër vite kështu që herë pas here gjendemi përballë vështirësive të tilla. Jemi duke punuar vazhdimisht edhe me kuadër ligjor edhe kuadër rregullativ, por edhe në kontaktet që unë kam pasur së fundmi dhe me ministrin italian dhe francez, kam shprehur gatishmërinë për të fuqizuar më tej këtë sektor edhe nëpërmjet teknologjive italiane këtu".
Këto fjalë janë një diagnozë e një sektori, i cili vuan prej vitesh nga mungesa e orientimit, bashkëpunimit dhe rritjes së standardeve dhe cilësisë për t`u bërë i konkurrueshëm në tregun vendas, por edhe ndërkombëtar. E vërteta dhemb por duhet parë në sy, sepse në qoftë se ne po kërkojmë Bashkimin Evropian, jo vetëm duhet të ofrojmë cilësi dhe standarde, të cilat sigurisht arrihen vetëm nëpërmjet një strategjie, e cila të mundëson të zhvillohesh dhe të rritesh. Këto fjalë nuk janë as sulm politik, por janë fjalë që kërkojnë të orientojnë fermerin, nga gabimet e mëparshme. Duhet të zgjohemi nga një realitet komunist që qendra e botës jemi ne, duhet të zgjohemi për të kuptuar që kur flasim për verën, vajin, blegtorinë, bujqësinë nuk jemi të vetmit në rajon dhe as në Evropë, por ka shumë vende të cilat ne as nuk i konkurrojmë dot si Italia, Franca dhe Spanja sepse vendet e zhvilluara funksionojnë me avantazhe krahasuese. Bashkimi Evropian funksion me teorinë e Rikardos, ku secili vend fuqizon pikat e forta dhe nëpërmjet këtij modeli zhdukin pikat e dobëta dhe kështu duhet të funksionojë çdo sektor përfshirë bujqësinë. Këto fjalë janë të vërteta për të kuptuar që fermerët duhet të orientohen e të bashkohen si modeli i fermerëve të Xarrës sepse deklaratat politike janë kalimtare, por fermerët janë aty dhe problemet e tyre i shoqërojnë çdo ditë.
Në vendet si Shqipëria që kanë një të kaluar post komuniste dhe që kanë një tranzicion politik të tejzgjatur, i cili nuk po mbaron kurrë mund të gjesh gjithçka përveç profesionisteve. E për sa kohë ky vend nuk do të ketë profesionistë do të ketë grupe politike mediatike që sa herë të duan për interesa të tyre do të prodhojnë stuhi në gotë boshe./driare.net

















