
Pse Baba Nikollari nuk u varros me të tjerët? Sekreti i një vendi të shenjtë!
Dritare.net
Në lartësitë e qeta të Alipostivanit, në jug të Shqipërisë, ndodhet një nga komplekset më të mëdha dhe më domethënëse të besimit bektashi. Në dokumentarin e tij për DritareTV, gazetari britanik Robert Hackman na fton të ndjekim një rrugëtim shpirtëror në zemër të këtij vendi të shenjtë, duke hyrë në thellësitë e historisë, simbolikës dhe përulësisë që përfaqësojnë tyrbet e teqesë.
“Siç thashë, ky është një kompleks i madh.", thotë Roberti ndërsa përshkon rrugën drejt tyrbeve, vendpushimet e shenjta të baballarëve bektashinj që kanë shërbyer në këtë teqe ndër shekuj. “Tani do të kalojmë te tyrbet... dhe kjo e para është e themeluesit të Alipostivanit,” shton ai me një ndjenjë respekti të thellë.
Para se të hyjë brenda, ai ndalet në prag, një element që në bektashizëm ka një simbolikë të thellë. “Pragu është simbol i Imam Aliut që të udhëheq nga padituria drejt urtësisë,” shpjegon ai. Dhe me kujdes të veçantë, e kalon pragun pa e shkelur, një gjest i thjeshtë që mbart një domethënie të madhe.
Brenda, atmosfera ndryshon menjëherë. Heshtja e thellë dhe jehona e zërit i mësojnë Robertit një leksion të papritur: “Nëse je i qetë, do të dëgjohesh më mirë.” Zëri i ulët nuk është vetëm shenjë respekti, është mënyra më e mirë për të komunikuar në një vend të shenjtë, ku çdo tingull ka rëndësi dhe çdo pëshpëritje bart një ndjesi spirituale.
Në tyrbe, vizitorët ecin në drejtim të kundërt me akrepat e orës, një traditë që simbolizon përulësinë dhe vlerësimin për shërbimin e baballarëve. Roberti ndalet për të reflektuar mbi këtë vend pushimi, i vendosur në një kodër me pamje spektakolare: “Çfarë vendi i bukur pushimi... E mrekullueshme. Duhet të pëshpërit.”
Ai kujdeset të ndjekë çdo rregull: të dalë me shpinë nga tyrbja, të kalojë pragun me këmbën e majtë dhe të lërë këpucët paralele me pragun. “Ka shumë tradita të vogla,” vëren ai, “por janë ato që krijojnë kulturën dhe i japin thellësi çdo besimi.”
Vizita vazhdon në tyrben tjetër, ku prehen pesë baballarë, një numër i pazakontë, që as teqetë më të njohura në Shqipëri nuk e kanë. “Nuk kam parë kurrë kaq shumë baballarë në një tyrbe,” thotë Roberti, teksa lë një monedhë simbolike në kutinë e gjelbër për mirëmbajtjen e teqesë.
Në muret e tyrbes, ai vëren edhe simbole të pazakonta: kafshë si dreu i madh nga Amerika e Veriut – një dëshmi e imagjinatës dhe hapësirës mendore të bektashinjve që, siç thotë ai, “shkon përtej kufijve të përvojës së zakonshme.”
Por ajo që e bën më të veçantë këtë vend është një pyetje: Pse Baba Nikollari, figura më e re dhe e dashur e kësaj teqeje, nuk është varrosur në tyrbe me të tjerët? Përgjigjja vjen nga Edjoni, shoqëruesi i Robertit: Ai është varrosur më afër teqesë, me pamje nga zonat e Frashërit dhe Mali i Tomorrit, vende të shenjta jo vetëm për bektashinjtë, por për të gjitha fetë në Shqipëri. “Si për të mbajtur nën vëzhgim të gjithë këtë peizazh shpirtëror,” vëren Roberti me habi dhe admirim.
Në fund, Robert Hackman largohet nga teqeja me një ndjenjë qetësie të re, i pasuruar shpirtërisht dhe i frymëzuar nga mësimet e heshtura të këtij vendi. Ai u kujton të gjithë vizitorëve që të vijnë me respekt, të ndjekin traditat dhe të dëgjojnë, jo vetëm me veshë, por edhe me zemër./K.C/dritare.net

















