Artemida Islami: Jeta ime mes Vjenës dhe Tiranës! Burri im austriak zgjedh Shqipërinë!
Dritare.net

E ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, Artemida Islami ndau historinë e saj të emigrimit, një rrëfim që nis nga Shqipëria, kalon në Shtetet e Bashkuara dhe përfundon në Vjenë, aty ku jeton prej më shumë se dy dekadash.
“Unë jetoj në Vjenë prej 23 vitesh… por nuk do them kurrë që jam vjeneze,” shprehet ajo, duke e përmbledhur që në fillim ndjesinë e dyfishtë që shoqëron jetën e emigrantit.
Nga Amerika në Vjenë: një rrugëtim i papritur
Historia e saj nuk nisi drejtpërdrejt në Austri. Fillimisht, Artemida u zhvendos në SHBA për studime, duke jetuar në New York dhe më pas në Kaliforni. Por jeta atje nuk ishte ajo që kërkonte.
“Punonim për të jetuar… por aty po jetonim për të punuar. U kthyem në robotë,” tregon ajo. Vendimi për t’u rikthyer në Evropë erdhi natyrshëm. Së bashku me bashkëshortin austriak, zgjodhën Vjenën si vendin ku do të ndërtonin jetën e tyre.
Një biznes familjar në zemër të Vjenës
Sot, Artemida drejton një shkollë gjuhësh, një sipërmarrje familjare që funksionon prej gati dy dekadash.
“Është komplet familjare. Japim anglisht, gjermanisht dhe italisht dhe ndihmojmë njerëzit të integrohen,” shpjegon ajo.
Në këtë shkollë, një rol të veçantë kanë edhe shqiptarët që shkojnë për studime apo punë në Austri. Ajo përpiqet t’i ndihmojë në hapat e parë:
“Studentët shqiptarë mund të vijnë tek unë… ua bëj më të lehtë fillimin, sidomos duke ua shpjeguar nga shqipja.”
Realiteti i emigrimit: “Njëherë i huaj, gjithmonë i huaj”
Pavarësisht integrimit dhe viteve të gjata në Austri, Artemida pranon se ndjenja e të qenit e huaj nuk zhduket.
“Njëherë i huaj, gjithmonë i huaj sado mirë ta flasësh gjuhën.”
Ajo e lidh këtë me kulturën evropiane dhe historinë e vendeve si Austria, ku, sipas saj, identiteti vendas mbetet shumë i fortë.
Mesazh për studentët: përtej jetës së lehtë
Një nga momentet më të drejtpërdrejta të intervistës ishte kur ajo foli për të rinjtë shqiptarë jashtë vendit.
“Është shumë kollaj me paratë e mamit dhe babit, por kjo nuk të bën të suksesshëm.”
Ajo thekson sakrificën e prindërve dhe nevojën që kjo sakrificë të kthehet në përpjekje reale:
“Fakti që prindi largon fëmijën nga vetja është një sakrificë shumë e madhe. Vijnë, vazhdojnë jetën luksoze dhe nuk e kanë idenë pse kanë ardhur.”
Malli për Shqipërinë që rritet me kohën
Në fund, rrëfimi i saj merr një ton më emocional. Me kalimin e viteve, lidhja me Shqipërinë është bërë edhe më e fortë.
“Me kalimin e moshës, më mungon çdo gjë e Shqipërisë. Shokët, shoqet, familjarët, janë këto që të kthejnë.” Edhe pse Tirana ka ndryshuar dhe nuk është më ajo që ajo mban mend, dëshira për t’u rikthyer mbetet e fortë.
Një histori mes suksesit dhe rrënjëve
Historia e Artemida Islamit, e treguar në “Shqip”, është një pasqyrë e qartë e realitetit të emigrimit shqiptar: sukses në një vend të huaj, por edhe një mall i vazhdueshëm për vendlindjen./K.C/dritare.net