
Tavë kosi Elbasani, i vetmi gatim 100% shqip!
Dritare.net
Rudina Xhunga ishte në Elbasan këtë herë. Për të treguar një tjetër traditë të kthyer në markë.
E shijshme, e lehtë, ajo mbush gjithë shtëpinë me aromë të mrekullueshme dhe është nga më të famshmet ndër shekuj tava e Elbasanit me Kos e mish qengji. Nëse ka një recetë gatimi që është tipike e kuzhinës sonë autoktone e që është gatim i përgatitur vetëm nga amvisat shqiptare, ajo është pikërisht tava e kosit.
Shefi i kuzhinës te Real Skampis, Gert Zabeli gatoi tavën e famshme të kosit, ashtu si të parët, në tavën e baltës dhe me mish dashi të pjekur. Shef Gerti tha se kosi dikur përdorej për të marinuar mishin e dashit, nga familjet e pasura. E ndërsa dashin e hanin te zotet e shtepise, pjesa e kosit që mbetej trashej me vezë dhe miell dhe u jepej ysmeqarëve, pra kjo pjesë e gatimit mund të quhej pjata e të varfrit.
E të varfrit apo të pasurit, tava e kosit mbetet gatimi më tradicional shqiptar, gati unik. Nëse jeton jashtë dhe të thonë: "Po hë, na gatuaj dicka që bëhet vetëm në Shqipëri", ti mund të gatuash fare pa droje, tavën e kosit. Kjo tavë është 100% shqip.
Tava e kosit mbetet një ndër recetat më të preferuara të shqiptarëve. "E gatuaj përditë,- thotë shef Genti,- "11 vjet, përditë më kërkojnë dhe gatuaj tavë kosi. Dhe unë e bej sic e kam mesuar nga gjyshja ime." Elbasani mund të mburret me këtë traditë unike ushqimi. Kuzhina nuk të lë kurrë në baltë. Lum kush e kthen në biznes e markë, traditën e të parëve./M.T/dritare.net

















