U nisëm të emigrojmë, por nuk e lamë furrën! Historia e Alketës dhe Shpëtimit!
Dritare.net

DritareTV solli sonte një reportazh të bukur të gazetares Rudina Xhunga nga Berati, qyteti ku tradita nuk ruhet si kujtim, por jetohet çdo ditë. Mes rrugicave me kalldrëm dhe aromës së bukës së sapopjekur, një furrë e vjetër vazhdon të mbajë gjallë historinë e një qyteti: Furra Agalliu.
Në nisje të reportazhit, gazetarja Rudina Xhunga postoi në Instagram një video nga historia e Alketës dhe Shpëtimit, çifti i bashkëshortëve që zgjodhën të mos largohen nga rrënjët.
“Alketa, vajza e mësuesit që bën bakllavatë më të mira në Berat. Edhe se furra ku pjek petët që bën vetë, është furrë si qëmoti e ndërtuar nga vjehrri. “U nisëm të emigrojmë, po nuk e linim dot furrën.”, tregon ajo. “Burri më mësoi zanatin, hipja në stol që të përzieja brumin. Tani punojmë gjithë vitin. Kur bëjmë pushim, mbyllim furrën dhe udhëtojmë nëpër botë. Shohim si e bëjnë andej bukën dhe ëmbëlsirat që bëjmë në Berat. Udhëtojmë, nuk emigrojmë. Kështu e zgjidhëm jetën tonë.”, shkruan gazetarja Rudina Xhunga në Instagram.
Δείτε αυτή τη δημοσίευση στο Instagram.
Videoja ngjalli reagime të shumta, por më i bukur erdhi nga e bija, Klara Agalliu, e cila komentoi nën postim:
“Faleminderit Rudina Xhunga! Jo thjesht për reklamimin kaq real që i bëre furrës sonë, por për gjithë punën tënde të palodhur për të treguar atë pjesë të shoqërisë punëtore ku ne jemi rritur. Berati është një qytet i vogël por sjell me vete një kulture pune tradite e talentesh. Shumë krenare për prindërit e mi për furrën që pavarësisht sfidave ata vazhdojnë ta mbajnë hapur e të punojnë fort pavarësisht sfidave të jetës. Faleminderit nga zemra.”, shkruan Klara në koment.
Rudina Xhunga iu përgjigj komentit me të njëjtën ndjeshmëri që përshkon edhe reportazhin:
“Me gjithë dashurinë për prindërit e tu dhe çdo njeri që beson dhe mbahet nga puna e tij, duke rritur fëmijë krenarë për vete, shtëpinë dhe Shqipërinë që ne besojmë.”

Reportazhi i Rudina Xhungës nga Berati nuk është vetëm një pasqyrim i një furrë të vjetër. Ai është një kujtesë se tradita nuk është thjesht një kujtim, por një mënyrë jetese, një përkushtim i përditshëm dhe një pasqyrë e dashurisë për rrënjët. Historia e Alketa dhe Shpëtimit, që përmes punës së tyre ruajnë një pjesë të shpirtit të Beratit, tregon se shpesh vendimet më të vështira, të qëndrosh aty ku rritesh, janë ato që sjellin lumturi dhe krenari më të madhe. Në fund, mes petëve të sapopjekura dhe rrugicave të kalldrëmuara, duket se mesazhi i vetëm është i qartë: tradita jeton aty ku ka dashuri, punë dhe respekt për atë që kemi trashëguar./dritare.net
