
Dëshmia tronditëse e vëllait të Liridona Ademajt. Fëmijët thanë: Ai ia bëri mamit bam
Dritare.net
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka dhënë një dëshmi të detajuar dhe tronditëse në lidhje me vrasjen makabre të motrës së tij, ku i dyshuar kryesor mbetet bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Para trupit gjykues, Ademaj përshkroi sjelljen e çuditshme të Murselit pas ngjarjes, dëshmitë prekëse të fëmijëve dhe momentet e para pas marrjes së lajmit për vrasjen.
Fëmijët për vrasjen: “Hajni ia bëri mamit bam”
Leonard Ademaj deklaroi se pas transferimit të fëmijëve të Liridonës në Suedi, ai kishte udhëtuar për t’i takuar dhe për të kuptuar më shumë rreth asaj që ata kishin përjetuar.
“Kur kam shkuar në Suedi kam kërkuar që t’i takoj. Fjalët e djalit janë këto: "Hajduti futi dorën dhe ia bëri mamit bam". Po ashtu tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit të vrasjes,” dëshmoi Ademaj. Sipas tij, fëmijët kanë ndërprerë çdo kontakt me babanë e tyre.
“Ata asnjëherë nuk kanë kërkuar takim me të. Madje kanë prerë me gërshërë fotografitë ku ishin me të.”
Sjellja e Murselit pas vrasjes
Në vijim të dëshmisë së tij, Ademaj tregoi sesi kishte shkuar në hotelin ku qëndronte Murseli pas ngjarjes.
“E gjetëm në shtrat, kishte porositur drekë, ushqim mbi tavolinë. Nuk dukej si njeri i tronditur.”
Për më tepër, ai theksoi se Murseli nuk kishte dashur të shihte trupin e pajetë të bashkëshortes.
“I thashë të shkojmë në morg. Ai më tha nuk na lejohet. Kur shkuam, ai erdhi deri te dera por nuk hyri brenda. Tha se kishte probleme me zemrën.”
Deklarata kontradiktore dhe ftohtësi gjatë varrimit
Sipas dëshmitarit, deklaratat e Murselit në vendin e ngjarjes ishin të pasakta dhe kontradiktore.
“Na tha njëherë se hajdutët dolën nga ana e djathtë, pastaj tha ndoshta nga e majta. Nuk ishte i qartë në asgjë.”
Ai gjithashtu vuri në dukje mungesën e ndjeshmërisë gjatë ceremonisë mortore.
“Gjatë varrimit, Naimi dhe Kushtrimi rrinin të ftohtë. Nuk u treguan të tronditur, as të prekur.”
Pas arrestimeve: Tronditje, por edhe lehtësim
Leonard Ademaj tregoi për momentin kur morën vesh për arrestimin e Naim Murselit dhe bashkëpunëtorëve.
“Nuk kishin kaluar as 30 minuta kur pamë në media se ishte arrestuar Granit Plava. Më pas u arrestua edhe Naimi. Ishim të shokuar, por njëkohësisht na u vërtetuan dyshimet.”
Zhvarrosja e Liridonës: Shteti na dëgjoi pas zërit në media
Familja Ademaj kërkoi zhvarrosjen e Liridonës pas zbardhjes së dyshimeve.
“Policia na rekomandoi ta bënim me vendim gjykate. Por dalja ime në media i dha një zë të fuqishëm rastit. E zhvarrosëm dhe e rivarrosëm në Rracaj, ku pritëm gjithë popullin shqiptar.”
Në përfundim të dëshmisë, Leonard Ademaj theksoi se familja është e vendosur të kërkojë drejtësi deri në fund. Procesi gjyqësor vazhdon, ndërsa rrëfimi i tij shënon një moment të rëndësishëm në zbardhjen e këtij rasti që ka tronditur opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë./L.F-dritare.net

















