Kurti: Sot, një çerek shekulli pas luftës, Kosova jonë qëndron krenare përballë sfidave!
Dritare.net
Kryeministri Albin Kurti ka uruar sot 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kurti u shpreh se pas një çerek shekulli pas luftës, Kosova qëndron e fortë dhe krenare përballë sfidave.
“Pas luftës shkatërruese 1998-1999, në rindërtuam shtëpitë tanë. Me mbështetjen nga aleatët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin, i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror.
Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet. Ashtu sikurse ditën kur u shpall, 16 vite më parë, ashtu edhe sot si dhe çdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Andaj sot festojmë e urojmë e përgëzojmë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet jo shumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, egjiptianët, goranët, por edhe malazezët, kroatët”, tha Kurti./M.K-dritare.net