
Shtypa alarmin e zjarrit dhe u evakuua i gjithë aeroporti, mendova se po ëndërroja!
Dritare.net
Modelja Rosie Viva u diagnostikua me çrregullim bipolar në moshën 22-vjeçare, pasi bëri që aeroporti Stansted të evakuonte të gjithë pasagjerët e tij në pritje.
Rosie nuk kishte fjetur gjithë natën. Ajo ishte e emocionuar për fluturimin për në Kroaci për të takuar prindërit e saj. Gjumi kishte mbetur i paplotësuar që nga ndarja e fundit me të dashurin e saj. Pavarësisht kësaj, ajo u ndje çuditërisht në krye të botës.
Në orën 01:00 ajo vendosi të shkonte me vrap nëpër Londër. Në mëngjes, ajo u nis drejt aeroportit duke besuar se ishte në ëndërr. Ajo puthi një të huaj në kafene, vodhi nga dyqanet dhe u bleu të gjithëve mëngjesin në McDonald's.
"Unë sinqerisht mendova, se isha duke ëndëruar." tha Rosie për podkastin e BBC.
Ajo ishte tepër vigjilente. Shikimi dhe dëgjimi i saj ishin më të kthjellët se kurrë dhe ajo ndjeu se rrahjet e zemrës së saj "dukeshin si fundi i një koncerti" aq të forta sa ishin.
Në aeroportin Stansted, Rosie pati një dëshirë të papritur për të telefonuar nënën e saj.
"Kur ajo iu përgjigj, i shkatërroi iluzionin," thotë Rosie. "E kuptova se ishte jeta reale dhe kisha arritur në pikën e thyerjes. Përjetova një ndjenjë paniku."
"Kapërceva bagazhin e dorës. Kishte një alarm zjarri në anën e majtë dhe mbaj mend që e godita me dorë. Gjithçka që mbaj mend ishin alarmet e zjarrit dhe pash policët që vraponin drejt meje."
Policët arritën Rosie-n ndërsa pjesa tjetër e aeroportit po evakuohej. Ata shpejt e kuptuan se ajo duhej të shkonte në spital dhe kishte halucinacione. E shoqëruar me mungesën e gjumit, Rosie po përjetonte psikozë ku pa dhe dëgjoi gjëra që nuk ishin aty.
Brenda disa ditësh nga qëndrimi në spital, Rosie u diagnostikua me Çrregullim Bipolar të Tipit 1. Ajo thotë se iu deshën rreth gjashtë javë që mjekimi i saj i ri antipsikotik të jepte efekt dhe ajo të kuptonte se çfarë do të thoshte diagnoza.
Kanë kaluar katër vjet nga incidenti në aeroportin Stansted dhe Rosie ka mësuar të jetojë me këtë gjendje krahas karrierës së saj si modele për markat e mëdha si Gucci dhe Yves Saint Laurent. Ajo është bërë gjithashtu një ambasadore për Bipolar MB.
"Unë jam ende një 27-vjeçare kaq normale që mendon 'si ta përballoj këtë mbi gjithçka tjetër?'. Nuk bëhet më e lehtë, thjesht të kuptuarit tuaj ndaj saj bëhet shumë më e mirë."/BBC/M.T/dritare.net

















