
Si t’i tregoj fëmijës 10-vjeç që jam me kancer!
Dritare.net
Përshëndetje psikologe Enertila!
Unë që po ju shkruaj jam një zonjë e cila kam pak kohë që jam diagnostikuar me kancer. Problemi im është se kam një djalë të vogël 10-vjeç e nuk di nëse duhet t’i tregoj për sëmundjen time dhe si mundem ta bëj? Cili është mendimi juaj? Ju falënderoj!
Përshëndetje lexues të Dritare.net!
E dashur lexuesja jonë, e kuptoj se klima në shtëpi nuk do të jetë kurrë e njëjtë dhe fëmijët do ta ndjejnë atë.
Marrja e një diagnoze kaq të rëndë është një ngjarje traumatike që ka një ndikim shumë të fortë në të gjithë sistemin e familjes. Kur fëmijët janë të vegjël, krijohet një ankth i madh. Nëse nuk e shpjegoni se çfarë po ndodh, fëmija juaj do të priret të krijojnë besime negative.
Për këto arsye është e rëndësishme të thuash të vërtetën për shëndetin tuaj. Është e rëndësishme që një fëmijë t'i dijë gjërat mirë paraprakisht, në mënyrë që të mund të përshtatet gradualisht me atë që do të ndodhë.
Përdorni gjuhë të thjeshtë, të qartë, konkrete. Ju duhet t'i jepni fëmijës tuaj mundësinë për të bërë sa më shumë pyetje që ai dëshiron dhe të siguroheni se ai e kupton. Është e rëndësishme që fëmija të ndërgjegjësohet për të gjitha fazat e procesit të trajtimit si diagnozë, kimioterapi, radioterapi, në mënyrë që të përgatitet për atë që do të përballet. Fëmija duhet të përgatitet edhe për ndryshimet e pashmangshme që mund të pësojë trupi me trajtimet që do t'i nënshtrohen, gjithashtu duhet të informohet edhe për ndryshimet në emocionet, sjelljet dhe rutinën e përditshme. Fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në rutinë, ndaj ju lutem duhet të përpiqeni të ruani sa më shumë zakonet tuaja. Është e rëndësishme që fëmija të ndihet i lirë të shprehë të gjitha emocionet, si trishtimi, zemërimi, nervozizmi, ankthi, frika. Janë të gjitha emocione normale përballë një ngjarje e vështirë për t'u përpunuar. Duhet ti krijosh hapësirën për të përjetuar emocione duke mbajtur një qëndrim pranimi dhe mirëkuptimi. Shpresoj shumë që këndvështrimi im tu ndihmojë sadopak. Ju uroj gjithë të mirat në familjen tuaj./dritare.net

















