Mrekulli në Venezuelë! Djali 3-vjeçar nxirret i gjallë nga rrënojat gjashtë ditë pas tërmeteve shkatërruese
Dritare.net

Një histori shprese ka prekur Venezuelën mes tragjedisë së madhe të shkaktuar nga dy tërmetet shkatërruese. Një djalë vetëm 3 vjeç, Klieber Morán, është nxjerrë i gjallë nga rrënojat plot gjashtë ditë pas lëkundjeve të fuqishme sizmike.
Shpëtimi u realizua nga një ekip kërkim-shpëtimi nga Jordania, ndërsa pamjet filmike tregojnë momentin emocionues kur efektivët shpërthejnë në brohoritje sapo fëmija nxirret nga rrënojat në shtetin La Guaira, një nga zonat më të goditura nga katastrofa.
Autoritetet bënë të ditur se vogëlushi mori menjëherë ndihmën e parë dhe u transportua në një spital në Karakas. Sipas mjekëve, ai ndodhet në gjendje të mirë dhe shenjat e tij jetësore janë stabile.
Zyrtarja e lartë venezueliane Delcy Rodríguez e cilësoi shpëtimin e Klieberit si "një moment shprese" për vendin, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet në zonat e prekura.
Shpëtimi i 3-vjeçarit konsiderohet i jashtëzakonshëm, pasi ekspertët theksojnë se mundësitë për të gjetur njerëz gjallë bien ndjeshëm pas 72 orëve të para nga një tërmet.
Ndërkohë, bilanci i fatkeqësisë vazhdon të rëndohet. Sipas autoriteteve, tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 kanë shkaktuar 1,943 viktima, mbi 10 mijë të plagosur dhe dhjetëra mijëra të zhdukur. Vlerësimet paraprake të NASA-s tregojnë se afro 59 mijë ndërtesa janë dëmtuar ose janë shkatërruar.
Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur alarmin për situatën humanitare, duke paralajmëruar se dhjetëra mijëra njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim, strehim dhe kujdes shëndetësor, ndërsa ekziston rreziku i shpërthimit të sëmundjeve për shkak të kushteve të vështira në zonat e goditura./ përshtati dritare.net (Burimi: BBC)