Dy dekada në Kanada! Stërnipi i familjes së madhe Turtulli ka një thirrje për shtetin shqiptar!
Dritare.net
Shkrimtari Kristaq Turtulli në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në Shqip-DritareTV kishte një thirrje për shtetin shqiptar, të krijojë kushtet që të gjithë emigrantët të kthehen në Shqipëri.
Zoti Turtulli dikur mësues, sot shkrimtar i më shumë se 30 librave, tha se emigrantët duan me shpirt të kontribuojnë për Shqipërinë, por nuk kanë gjetur kushtet deri më tani, që t’u mundësojnë atyre një vatër të ngrohtë.
“Unë do të doja me shpirt që në vend të një afgani apo afrikani, të vinin fëmijët tanë të ndërtonin Shqipërinë. Por këtë duhet ta duam me gjithë shpirt. Shqipëria është e jona sido që të jetë, ne jemi bijtë e saj, familja jonë kontribuoi shumë. Por duhet të kërkojmë më shumë ndaj vetes sonë, ne nuk duhet të shuhemi. Duhet t’i lëmë fëmijëve një amanet të madh, gjuhën, kjo është identitet, personalitet. Por edhe shtetit, qeveria dhe politikanët që sot janë në një amulli, të krijojnë kushte optimale, që të kthehemi në Athdhe, të kemi vatër të ngrohtë.
Duhet shteti në radhë të parë dhe më pas të gjithë e duan Mëmëdhëne, unë e dua me shpirt, kam varret e të parëve të mi. Por duhet të na krijojnë kushtet minimale, të zhvishet nga mendësia, mënyrës së ekonomisë së tregut, të njihet prona private që prej kohës së Berishës nuk na u njoh kjo e drejtë, të hapet zemra dhe mëndja se Shqipëria është më e mirë se Kanadaja. Kanadaja nuk ka asgjë më shumë. Shqipëria është pjesë e trupit tim.”, tha zoti Turtulli./M.K-dritare.net