Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Historia e kolonelit që i shpëtoi 3 atentateve në 1997!

Historia e kolonelit që i shpëtoi 3 atentateve në 1997!

Në një rrëfim të rrallë, koloneli në pension Vladimir Mema, ish-oficer i lartë i ushtrisë shqiptare, tregoi në emisionin DritareTV peripecitë e jetës së tij ushtarake, duke përmendur edhe faktin se ka shpëtuar nga tri atentate gjatë viteve të turbullta të vitit 1997.

“Viti më i vështirë i gjithë karrierës sime ishte 1997-a, kur isha në Gjirokastër. Tre herë deshën të më vrisnin,” u shpreh Mema, ndërsa kujtonte momentet dramatike që pasuan rrëzimin e shtetit dhe shkatërrimin e ushtrisë.

Ngjarja më e rëndë, sipas tij, ndodhi në depot e qarkut, ku shpërthyen municionet dhe humbën jetën 14 oficerë, pesë prej të cilëve u dogjën rëndë dhe u shpallën dëshmorë. Mema theksoi se ndodhej në afërsi të vendngjarjes, por për fat, nuk ishte brenda në depo kur ndodhi shpërthimi, duke shpëtuar për mrekulli.

Sipas ekspertëve të kohës, zjarri ishte aksidental dhe u shkaktua nga pasqyrimi i dritës së diellit mbi një automjet përballë depos, i cili ndezi barutin e shpërndarë aty pranë. Në depo ndodheshin municione të kalibrit të lartë, përfshirë edhe predha të topave 152 mm, të cilat janë tepër të ndjeshme.

Përtej rrezikut fizik, Mema denoncoi edhe mungesën e përgjegjësisë politike për pasojat që solli shkatërrimi i ushtrisë dhe humbja e pasurisë së madhe ushtarake. “Në vitin 1992 gjithçka u dorëzua me inventar, por sot askush nuk po mban përgjegjësi,” tha ai, duke theksuar se përgjegjës për pasurinë e popullit shqiptar janë tre institucione: Kryeministri, Presidenti dhe Ministria e Mbrojtjes.

Në intervistën e tij, koloneli Mema bëri edhe një apel për përgatitje të shtuar në rast emergjencash, duke kërkuar që Shqipëria të kujdeset për sistemin e strehimeve dhe strukturat mbrojtëse që, sipas tij, janë lënë në harresë.

Rrëfimi i tij është një kujtesë e fortë e një periudhe tragjike në historinë moderne të vendit dhe një thirrje për përgjegjshmëri kombëtare./K.C/dritare.net