
Nëna Dashuri: Dibrën e ka bekuar Zoti. Ejani për natyrën, ushqimin dhe mikpritjen!
Dritare.net
Dritare TV ishte në një tjetër udhëtim fantastik dhe teksa destinacioni është Lura e magjishme nuk mund të mos ndaleshin në agroturizmin “Nëna Dashuri” në Peshkopi për të cilën kishim dëgjuar kaq shumë edhe nga ministrja Frida Krifca kur ajo ishte e ftuar në emisionin “Shqip”.
Duket se vendi simbolizonte vetë emrin e të zonjës së Bujtinës e cila quhej Dashuri. Kudo ku hidhje sytë shikoje gjëra të bëra me mund por me shumë dashuri. Ajo na tregoi në një bashkëbisedim në “Shqip” se gjithcka nisi me një biznes të vogël familjar i cili me ndihmën e një granti nga shteti dhe me vizionin e madh për t’u kthyer në një agroturizëm të mirëfilltë, u bë ky që është sot.
Nëna Dashuri u shpreh se Dibra ishte një vend i bekuar nga Zoti dhe se nuk duhet humbur për natyrën e mrekullueshme, ushqimin fantastik si dhe mikpritjen e rrallë që ofronte. Ajo rrëfeu se pas gjithë kësaj mrekullie qëndronte puna e palodhur e pjesëtarëve të familjes së nënë Dashurisë.
"Para 2019 kisha një biznes të vogël familjar ku prodhoja jufkat e famshme të Dibrës dhe trahananë. Kisha dëshirë që turistët vendas dhe të huaj të shijonin prodhimet dhe gatimet karakteristike të Dibrës. Dibrën e ka beuar Zoti me një bukuri të madhe natyrore. Më pas, pas një granti nga qeveria ku rezultova fituese këtë bujtinë e ktheva në një agroturizëm të mirëfilltë ku gatuhen gatime tipike dibrane dhe mund të shijoni dhe një natë të qetë për të fjetur. Edhe bërja e rrugës pati të mirën e vetë sepse u rrit shumë interesimi i njerëzve për të ardhur dhe për të vizituar Dibrën. Kjo e gjitha është një punë e ngritur me shumë vështirësi dhe sakrifica. E gjithë familja është e angazhuar që gjërat të shkojnë sa më mirë”, tha ajo./M.K/dritare.net

















