Rama: Nuk mbroj ministren, mbroj karrigen e Kryeministrit nga abuzimi
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave se po ushtron presion mbi Gjykatën Kushtetuese, pas ankimimit të bërë nga Kryeministria për pezullimin e ministres Belinda Balluku nga detyra me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së. Ai theksoi se ky ankimi nuk është bërë në emrin e tij personal, por në cilësinë e kryeministrit, për të mbrojtur parimin e balancës mes pushteteve dhe për të shmangur, siç tha, një precedent që cenon kompetencat e ekzekutivit.
Duke iu përgjigjur opozitës dhe kreut të PD Sali Berisha, Rama tha se “mjafton vetëm të parafytyrosh se çfarë lojërash politike në dëm të shtetit, në dëm të ligjit, të qytetarëve, të shoqërisë, mund të sillte e ardhmja, po të hapej kjo ‘’vrimë’’ e madhe në murin ndarës mes pushteteve kushtetuese në Shqipëri dhe duhet të jesh krejt i papërgjegjshëm karshi Shqipërisë, republikës sonë, për ta lënë të kalojë pa luftuar gjyqësisht në shkallë më të lartë, atë të Gjykatës Kushtetuese, këtë tentativë antidemokratike”.
“Aq më keq akoma, pastaj duhet të jesh krejt i verbuar nga urrejtja politike për ta kthyer edhe këtë konflikt kompetencash mes ekzekutivit dhe gjyqësorit në një konflikt politik, siç bëjnë fatkeqësisht për çdo gjë ‘’të mbyturit e kënetës’’.
Ama fakti është se ndërkohë që hidhen përpjetë mbi llumin e tyre për ta kapur nga duart e prokurorëve ‘’ushqimin’’ për opozitarizmin në këtë rast nuk e tregojnë dot, një rast të vetëm, një të vetëm në Europë, por edhe në botë po të duan, që u pezulloka anëtari i qeverisë me vendim gjykate nga një prokuror në një gjykatës.
E vërteta është se nuk e gjejnë dot, se nuk ka. Nuk ka një rast të tillë dhe nuk kanë se si dhe ku e nxjerrin, mor edhe një të vetëm, sepse pezullimi i një ministri me iniciativën e një prokurori dhe vendim të një gjykatësi është një rrëmbim i kompetencës së kryeministrit.
Përpos kësaj, është edhe absurd totalisht si koncept. Pse? Sepse “de jure” quhet pezullim, por “de facto” në rastin e ministrit është një shkarkim, të cilin kryeministri duhet thjesht ta formalizojë, meqë e mendoi prokurori dhe e vendosi gjykatësi me detyrim- përcaktim, sepse të pezullosh një ministër nuk do të thotë të pezullosh një funksionar publik të cilitdo nivel, atë ndërkohë mund ta bësh sepse ia bën punën dikush tjetër, por do të thotë të asgjësosh pa afat një autoritet me fuqi ekskluzive vendimmarrëse. Që ta dinë të tërë, nëse ministri pezullohet, zëvendësministri nuk e ushtron dot autoritetin ekskluziv që Kushtetuta ia jep vetëm ministrit për të përfaqësuar sektorin edhe në Këshillin e Ministrave dhe për t’i propozuar qeverisë vendime thuajse të përjavshme për ecurinë e sektorit apo sektorëve.
As nuk dua t’i hyj fare fare, fare dokrrave dhe teorive konspirative për ‘’pse-në’’ e kësaj beteje ligjore, se kush nuk do të kuptojë se sa e thjeshtë është dhe që këtu s’është fjala as për Belinda Ballukun, as për mua e për qeverinë sot, po është fjala për mbrojtjen sot e përgjithnjë të kufijve kushtetues mes pushteteve, atëherë nuk ka se si e kupton. Ose pastaj ia do puna e vet dritëshkurtër që të mos e kuptojë.
Kështu që, për ta mbyllur, si palë në proces që përfaqësoj kryeministrinë, jo shtëpinë time; që përfaqësoj interesin shtetëror dhe publik të funksionit tim të përkohshëm, jo interesin vetjak të ministres së pezulluar, dua t’i kujtoj të tërëve një gjë; detyrimi për të sqaruar opinionin publik lidhur me çështje në interes të publikut apo me qëndrimet e mia institucionale, unë e konsideroj të panegociueshme, qoftë edhe kur bëhet fjalë për një proces apo vendim gjyqësor, për të cilin opinioni publik është interesuar të dijë qëndrimin tim dhe prandaj e konsideroj dhe një detyrim të pandalueshëm.
Nuk ma ndalon dot mua askush dhe për asnjë arsye që t’i shpjegohem atyre që më kanë vënë në këtë detyrë. Ndërsa ata, që s’kanë asnjë ide për mënyrën si unë funksionoj, në raport me detyrimet e mia ndaj vendit dhe ndaj atyre njerëzve mund të thonë çfarë të duan. Mua nuk më mbetet vetëm të përsërisë urimin tim, që Gjykata Kushtetuese e Republikës Shqipërisë t’ia kursejë Republikës së Shqipërisë shpikjen e një risie totalisht të pa mirëseardhur në historinë e drejtësisë demokratike europiane apo edhe botërore, po të doni”, tha ai./K.C/dritare.net