Rama të ndikojë në rikthimin e marrëdhënieve, Kosovë-SHBA! Flet analisti Gazmir Raci!
Dritare.net
Gazetari dhe analisti Gazmir Raci nga Kosova raportoi për Shqip nga Rudina Xhunga, në DritareTv mbi situatën aktuale në veri të Kosovës. Raci kërkoi që Shqipëria dhe zyrtarët shqiptarë të luajnë një rol të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve të Kosovës me aleatët, SHBA dhe BE. Shqipëria, thotë gazetari ka një përvojë ndërmjetësimi në diplomaci dhe do duhet në të gjitha drejtimet të ndërhyjë me idetë e ndërmjetësimit për arritjen e një plani për ta nxjerrë Kosovën nga kjo krizë.
"Shqipëria zyrtare duhet të kuptojë që marrëdhëniet me Serbinë janë historikisht problematike dhe ato nuk mund të rregullohen me një iniciativë rajonale, ose me një panair vere apo gotë raki, buzë detit. Shqipëria duhet të rikthehet në rolin që kishte gjatë luftës dhe gjatë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pa Shqipëri nuk ka Kosovë, as pa Kosovë nuk ka Shqipëri. Të mirën dhe të keqen duhet ta ndajmë bashkë. Unë pres që diplomacia shqiptare të jetë proaktive, jo vetëm me Tëitter. Ushtria shqiptare meqë është pjesë e NATO-s duhet të jetë proaktive edhe në aspektin e formimit të aspektit të sigurisë sepse grupet kriminale janë shumë të rrezikshme në veri të Kosovës. Unë them që duhet t’i jepet sërish një shans dialogut. Sepse nuk kemi alternativë tjetër. Ne luftën e kemi përfunduar në vitin 1999 dhe fituam. Nuk kemi për çfarë frikësohemi më. Serbia e ka humbur betejën me Kosovën dhe ne nuk sulmuam, u mbrojtëm. Nëse sulmohemi, prapë do mbrohemi. Sot kemi një situatë të tensionuar sa i përket raporteve Kosovë-SHBA. Në këtë rast kryeministri shqiptar nuk duhet t’i fryjë zjarrit. Duhet të ofrojë kapacitetet e tij zyrtare për të ndërmjetësuar dhe lehtësuar këtë gjendje që momentalisht është shumë e vështirë këtu në Prishtinë. Ambasadori amerikan deklaroi për ndalimin e pjesëmarrjes së ushtrisë se Kosovës në "Defender Europe 2023". Është tepër shqetësuese dhe tashmë duhet ta lëmë Tëitter-in anash. Shqipëria duhet të angazhohet maksimalisht për të ndërmjetësuar, për të afruar qëndrimet sa më shpejt që të jetë e mundur që mos jetë dëmi më i madh në të ardhmen më të afërt. Roli i Shqipërisë është i drejtpërdrejtë në ndërmjetësim, në ide që nuk e fyejnë Kosovën, por që ndihmojnë në arritjen e paqes. Të lënë anash mëritë dhe inatet. Në këtë moment duhet të shtrihet dora e bashkëpunimit. Unë kam dëgjuar që Shqipëria ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit gjatë evazionit të Rusisë në Ukrainë. Këtë e kanë thënë edhe disa diplomatë amerikanë. Shqipëria ka një përvojë të tillë në diplomaci dhe do duhet në të gjitha drejtimet të ndërhyjë me idetë e ndërmjetësimit për arritjen e një plani për të dalë nga kjo krizë, por duke pasur parasysh që situata në veri nuk mund ta kthehet në pikën zero, apo aty ku ishte, sepse ashtu ishte për mbi 20 vjet. Shqipëria duhet të insistojë te faktori ndërkombëtar, sidomos te BE-ja. Ajo që kanë rënë dakord Serbia dhe Kosova në Ohër duhet të zbatohet ashtu siç është thënë dhe jo të kalohet përtej asaj. Kur ishin trazirat e çështjeve të targave në muajin dhjetor unë kuptova që ushtria shqiptare luajti një rol shumë të rëndësishëm në kuadër të NATO-s për ta menaxhuar situatën asokohe. Prandaj shpresoj që ushtria shqiptare, presidenti i Republikës, kryeministri i Shqipërisë, por edhe diplomacia parlamentare të angazhohen maksimalisht që këtë aleancën tonë strategjike mos ta cenojnë më shumë. Ka mundësi që Federata Ruse, e cila paralajmëroi dje përmes Lavrov që mundet që dikush nga jashtë është duke i fryrë zjarrit mes raporteve shqiptaro-amerikane. Kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe që mund të ndodhte. Këtu duhet të jetë fokusi i Shqipërisë, që këto tendencat e Rusisë që janë të shumta në Serbi, të parandalohen dhe besoj se këtu Shqipëria do të luante një rol jetik, duke filluar nga të qenit anëtare e NATO-s, dhe pastaj angazhimi i drejtë politik.”, u shpreh gazetari në DritareTv./K.C/dritare.net