
Si më arrestuan babanë, pas konfliktit me Enver Hoxhën! Historia e Abaz partizanit!
Dritare.net
Kjo është historia e një 93-vjeçari, zotit Abaz Hoxha, tani historian kinematografie, dikur partizan. Zoti Hoxha erdhi në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv për të treguar 93 vitet e jetës së tij, për të cilat ka shkruar edhe libra. Ai ndau me gazetaren Xhunga, historinë se si u bë partizan në moshën 14-vjeçare, kontributin e tij në luftën për të çliruar Vlorën, Dibrën dhe Tiranën. Zoti Hoxha tregon si Enver Hoxha i arrestoi babanë se ai ishte nacionalist.
“Unë kam qenë partizan pa mbushur akoma 14 vjeç. Isha në brigadën e pestë dhe kemi bërë itinerarin që nga Tragjasi në Luginën e Mesaplikut, të Lumit të Vlorës deri në Përmet. Pastaj erdhëm në veri, kam marrë pjesë në çlirimin e Dibrës. U kthyem në Tirane dhe tre ditët e fundit kemi kontribuuar për të çliruar Tiranën. Kur kapitulloi Gjermania më 9 maj të 1944-ës, një ditë më vonë, dorëzova automatikun dhe u largova nga ushtria dhe iu futa studimeve. Më propozuan në shtabin e përgjithshëm, për të shkuar në Bashkimin Sovjetik për të studiuar për ushtarak. Unë i thashë nuk dua ushtarak, do bëj degën civile. Filluan të më bëjnë propagandë, jo janë akademitë më të mira ushtarake, jo do jesh nga kuadrot më të mirë që do drejtojë ushtrinë. Unë u thashë që nuk doja dhe nuk pranova. Unë u bëra partizan pavarësisht se Enver Hoxha më futi në burg babanë. Unë isha jetim. Nëna më ka vdekur që kur isha 5 vjeç. Babai ka qenë patriot në të kaluarën, fanolist, shok i Avni Rustemit, arsimtar i njohur, pjesëtar në luftën e Vlorës. Kur filloi lëvizja nacionalçlirimtare u zgjodh kryetar i këshillit antifashist nacionalçlirimtar si figurë patriotike dhe intelektuale. Por më vonë pati konflikte me Enver Hoxhën, edhe me të tjerë, sepse babai ishte bashkuar me nacionalistët dhe ata thoshin: “Ju jeni bashkuar me jugosllavët dhe ne nuk mund të pranojmë se na kanë marrë Kosovën dhe do na marrin gjithë Shqipërinë.” Pati dhe një konflikt tjetër. Kur u bë një operacion italian në Tragjas, babai nuk donte që prita t’u bëhej në fshat, fashistëve se do digjnin fshatin, por ta bënin më tutje. Dikush i tha frikacak dhe ai u revoltua dhe ngriti alarmin për të vajtur në lufte. Pastaj vajti në luftën e Gjormit, ku u bashkua me nacionalistët që pati shokë, Hysni Lepenica, edhe Skënder Muço. Kur erdhi Enver Hoxha në Vlorë i tha Hysni Kapos ta lidhte me përfaqësuesit tipikë të Vlorës në mënyrë që t’i bënte për vete. Përmendi ai nja 10 veta, mes tyre ishte babai im, Skënder Muço dhe Hysni Lepenica. I thirrën këta të tre dhe për tre ditë e tre net takim, bisedonin, ziheshin të dyja palët. Nga njëra anë ishte Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu dhe në anën tjetër babai im, Hysni Lepenica dhe Skënder Muço. Në një moment Hysni Lepenica, i revoltuar nxori pistoletën të vriste Enver Hoxhën. Babai mbajti dorën, pra e pengoi. Dhe aty konflikti ishte për jugosllavët. Domethënë kishte tendenca nacionaliste. Babai im u burgos. Fillimisht u dënua me vdekje. Pse? Nuk mori pjesë as në aparatin shtetëror, as kundër lëvizjes nacionalçlirimtare. U dënua se ishte nacionalist.
Unë u bëra partizan pavarësisht kësaj, ne në Tragjas u ushqyem me ndjenja patriotike. Tragjasi ka qenë qendër e lëvizjes nacionalçlirimtare, aty vinin grupet partizane. Dhe u edukuam nga patriotizmi i familjes. Unë, vëllai i madh dhe vëllai tjetër që ra dëshmor shkuam partizanë, nuk u bashkuam me nacionalistët. Mbas luftës e arrestuan babanë, e dënuan me vdekje se ishte nacionalist. Nuk e vranë, bëri disa vjet burg. Ai shpëtoi nga pushkatimi pasi Hysni Kapo kërkoi t’i bëhet gjyqi, i cili sërish vendosi dënim me vdekje. Pastaj u vendos burgim i përjetshëm, më vonë kaloi në 25 vjet. Ai kreu 18 vjet e doli nga burgu. Babai u lirua në 1962-shin. Jetoi në Vlorë. Por i binin në qafë shumë, partizanët ekstremistë. Ai i shkoi Petrit Hakanit, kryetar i degës dhe i kërkoi ta fusnin sërish në burg se nuk e duronte dot atë atmosferë, e ofendonin pamasë. Ai i tha; ti bërë gjyq, kreve dënimin, je si gjithë të tjerët. Edhe kështu ishte historia e babait. Unë kam qenë tolerant në këtë drejtim. I shkruaja letra babait që ishte në burg, madje edhe e takoja edhe pse atëherë nuk lejohej të flisje për ta, jo më të shkruaje letra apo t’i vizitoje në burg. Por më lanë ta takoj babanë në burg. Pasi doli nga burgu nuk e takova më babanë. Nuk mund ta takoja, unë isha komunist, ai i burgosur politik. Nëse e takoja më përjashtonin nga partia.”, tha ndër të tjera zoti Hoxha./K.C/dritare.net

















