
Nga Mero Baze
Sa herë që vjen shtatori, ka një valë nostalgjike që merret me shkollat e mbyllura nëpër fshatra, me fëmijët që janë gjithnjë e më pak dhe pastaj me thirrje patetike se “në këtë shkollë ka mësuar filan personalitet” apo “ka qenë mësues filan patriot” dhe se duhet mbajtur hapur me çdo çmim.
Vitin që shkoi, në vendlindjen time në Peshtan kishte 4 nxënës dhe 6 mësues, për shkak të detyrimit ligjor për ciklin 9-vjeçar.
Sivjet kanë mbetur vetëm 2 nxënës.
Natyrisht, kjo nuk e bën atë shkollë as cilësore, as me ndonjë vlerë të veçantë. Mund të nis të vajtoj pse në vitin 1927, sipas një fotografie, ka pasur 60 nxënës, por kjo është marrëzi.
Kriza e fshatit nuk është krizë e arsimit. Ajo është një krizë shumë më e gjerë: demografike, ekonomike dhe sociale. Nuk është as krizë lokale shqiptare, por krizë që e kanë kaluar dhe po e kalojnë të gjitha vendet, dhe lidhet me përqendrimin e qytetërimeve në metropole. Greqia, siç është raportuar, ka mbyllur këtë vit rreth 700 shkolla fshatrash për shkak të boshatisjes së tyre dhe krizës demografike. Vendet e tjera të rajonit po ashtu.
Ndaj duhet të ndajmë arsyet pse duhet mbajtur fshati i populluar me arsyet e mbylljes së shkollave në fshatra.
Personalisht jam shumë kritik me qeverinë për krizën e fshatit: për shkëputjen e tij nga vëmendja e shtetit shqiptar, për shkatërrimin e ekonomisë bujqësore nga mungesa e politikave të qarta dhe për humbjen e kontrollit mbi tokën bujqësore për shkak të copëzimit nga ligji 7501. Është po aq urgjente që të krijohen politika financimi dhe ndihme për të rinjtë që duan të jetojnë në fshat dhe të ndërtojnë ekonominë e tyre aty, pasi vetëm ata mund të garantojnë vazhdimësinë e jetës në fshatra, edhe pas ikjes së brezit të moshuar.
Edhe pse duket si humor, e vërteta është se ka gjithnjë e më pak vajza që duan të martohen e të jetojnë në fshat, dhe gjithnjë e më pak politika që stimulojnë një ekonomi të qëndrueshme familjare në fshat. Ende nuk ka rregulla të thjeshta të bashkëjetesës sociale; ende nuk ka mundësi reale investimi, për shkak të “horror-it” ligjor të lejeve të ndërtimit në fshat, që kushtojnë njësoj si një leje për ndërtim kulle në Tiranë; dhe ende nuk ka subvencione që të akordohen në mënyrë të detyrueshme dhe jo në formë konkurruese e korruptive për ata që zgjedhin bujqësinë ose blegtorinë.
Por të gjitha këto nuk kanë lidhje me nostalgjinë për të mbajtur hapur shkollat e fshatrave. Përkundrazi, mendoj se qeveria në këtë pikë duhet të bëjë të kundërtën: të hartojë një plan të mirëstudiuar kombëtar që, në shumicën e fshatrave me infrastrukturë rrugore, fëmijëve t’u paguhet transporti dhe t’u sigurohet nga shteti shkollimi në zona urbane të grumbulluara, me më shumë nxënës.
Shkolla të tilla nuk duhen mbajtur hapur me zor, por duhet të bashkohen në shkolla më të mëdha në qendrat e njësive administrative dhe të kthehen në shkolla normale, me shumë nxënës në klasa. Përveç të tjerash, fëmijët do të kenë kujtime më të pasura shkollore, shokë të klasës dhe do të mësojnë të ambjentohen me rregullat e një shkolle të mirëfilltë. Katër nxënës me gjashtë mësues nuk janë as shkollë private milionerësh, dhe është një fenomen që qeveria duhet ta eliminojë duke krijuar shkolla të mëdha të bashkuara, duke financuar transportin dhe, në zona të thella, pse jo edhe konvikte javore për fëmijët.
Kriza e arsimit në fshat lidhet natyrisht me demografinë, por nuk zgjidhet duke mbajtur me zor shkollat hapur. Zgjidhet duke u dhënë arsim cilësor atyre pak fëmijëve që kanë mbetur, ndërsa për fshatin duhet menduar seriozisht që ta ribashkojmë si territor me shtetin shqiptar dhe ekonominë kombëtare. Por jo duke dëgjuar të qarat patetike të atyre që kanë ikur nga fshati dhe që sot kanë “nostalgji” për kohën kur ishin nxënës aty.

















