Na ndiqni edhe në

Opinione

Meta, i majti në varrezat e të djathtës!

Meta, i majti në varrezat e të djathtës!


Nga Ermal Peçi

Në emisionin "Shqip" të Dritan Hilës ishte i ftuar para disa javësh një mendje e ndritur e një shpirt i paqtë, Daut Gumeni. Daut Gumeni është një prej atyre njerëzve, të cilët e kanë përjetuar ferrin komunist, me vuajtje e burgosje për shkak të ideve dhe qëndrimeve kundër regjimit. E kam ndjekur në çdo intervistë Daut Gumenin dhe është nga ata njerëz, i cili me mendimet, artikulimin e tij dhe qëndrimin dinjitoz përfaqëson më së miri të djathtën shqiptare. Madje për mua, e them objektivisht që ai duhet të jetë një referencë mendimi ku të rinjtë e Partisë Demokratike dhe jo vetëm, duhet të bazohen e të jetë referencë për të përgatitur teza politike për të goditur demokracinë hibride, për të ardhmen që duhet të ketë e djathta shqiptare, por dhe për të pasuruar fjalorin politik.
Mu kujtua Daut Gumeni sot krejt rastësisht, kur në rrjetet sociale më doli përballë foto e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili zhvilloi homazhe në Varrezat e Dëshmorëve me rastin e Ditës së Çlirimit të Shqipërisë më 29 nëntor.
Një mëkat që nuk i falet klasës politike shqiptare, por dhe pedagogëve të historisë që dalin në media e artikulohen, është sherrnaja e përvitshme se kur iku gjermani i fundit. Një turp që e shoqëron dhe e ndan shoqërinë prej 33 vitesh. Ndërkohë që Meta zhvillonte homazhe ortaku dhe bashkëpunëtori i tij politik Sali Berisha fliste me gjuhën e zakonshme, në ditën e çlirimit të vendit riktheu dhe një herë në urim pasardhësit e diktatorit stalinist, të cilët vazhdojnë ritet enveristo-serbe. Një amoralitet politik, i cili i ka bërë bashkë për interesa pragmatiste dhe pushteti, martesë që ska besnikëri e moral politik. Prandaj sot siç thoshte edhe Daut Gumeni, Ilir Meta është i majti në varrezat e të djathtës që kërkon të fitoj pikë, duke bërtitur, duke ulëritur për Kushtetutën e për të djathtën shqiptare. Fatkeqësia e kësaj të djathte është që në historinë e saj ajo ka pasur të majtë që kanë ulëritur si të djathtë.
Amalgamat ideologjike të spektrave politikë kanë krijuar konfuzion, i cili ka buruar nga brishtësia dhe mungesa e kompaktësisë së ideologjisë së djathtë./dritare.net