
Kreu demokrat Lulzim Basha sot nga Durrësi mohoi mundësinë e një bashkëpunimi me qeverinë Rama. Në fjalën e tij kryeopozitari tha se PD nuk bëri aleancë me bandat dhe as nuk do të bëjë në vijim.
“Mbi 680 mijë vota duke përfshirë edhe ato që pavleftësoi marifeti i fletës së votimit, janë votat e shqiptarëve të pastër të shqiptarëve që as nuk u shantazhuan as nuk u blenë, as nuk u frikësuan, as nuk u intimiduan, por ecën përpara për veten e tyre, për familjet e tyre, për të ardhmen e tyre por duke besuar tek forca, fuqia e Partisë Demokratike dhe koalicionit tonë.
Çfarë do të bëjmë? Do t’i lëmë në mes të rrugës këta njerëz? Do t’u themi që ne e bëmë tonën dhe kaq ishte? Për ata që thonë, që na bëjnë me faj, që na llogarisin si gabim, që nuk bëmë dhe ne aleancë me bandat, po ju them fare qartë. Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero. Sepse pushteti i marrë me krimin pjell vetëm krim”, tha Basha./L.F-dritare.net

















