5 shenja të çuditshme që tregojnë se duhet të pini më shumë ujë
Dritare.net

Rreth 24% e të rriturve mbi moshën e mesme në SHBA janë të dehidratuar, sipas një metaanalize të fundit. Sipas studiueses së epidemiologjisë ushqimore Jodi Stookey, asgjë në trup nuk funksionon pa rolin thelbësor të ujit. Edhe pse rekomandimet zyrtare ndryshojnë, ajo sugjeron që shumica e të rriturve të konsumojnë rreth 1 litër ujë në ditë.
Ja 5 shenja të pazakonta që tregojnë se organizmi juaj ka nevojë për më shumë lëngje:
1. Luhatje humori dhe “mjegull” mendore
Truri është ndër organet e para që ndikohet nga mungesa e ujit. Edhe një dehidratim i lehtë, humbja e vetëm 1–2% të masës trupore në ujë, mund të dëmtojë përqendrimin, kujtesën afatshkurtër dhe kohën e reagimit. Në këtë gjendje, njerëzit ndihen më nervozë, të irrituar dhe të stresuar. Studimet sugjerojnë gjithashtu se mungesa e hidratimit mund ta rrisë ndjeshmërinë ndaj dhimbjes.
2. Dhimbje koke dhe marramendje
Mungesa e ujit shpesh shkakton dhimbje koke. Kjo ndodh sepse ulja e lëngjeve në trup mund të zvogëlojë përkohësisht volumin e indeve të trurit dhe të ndikojë në balancën e elektroliteve. Sipas ekspertëve të shëndetit, këto ndryshime mund të shkaktojnë ndjesi rëndese në kokë dhe marramendje, përcjell dritare.net
3. Probleme me tretjen dhe kapsllëk
Uji është thelbësor për funksionimin normal të sistemit tretës. Kur pini pak ujë, zorra e trashë thith më shumë lëng nga jashtëqitja, duke e bërë atë më të fortë dhe më të vështirë për t’u nxjerrë. Dehidratimi kronik është një shkak i zakonshëm, por shpesh i nënvlerësuar, i kapsllëkut. Studimet e fundit tregojnë se hidratimi i mjaftueshëm ndihmon gjithashtu në ruajtjen e ekuilibrit bakterial dhe imunitar në zorrë.
4. Rrahje të shpejta të zemrës dhe lodhje
Kur niveli i hidratimit bie, zvogëlohet edhe vëllimi i gjakut. Si pasojë, zemra duhet të punojë më fort për të pompuar gjakun në trup. Kjo mund të rrisë rrahjet në pushim, të shkaktojë dobësi dhe lodhje, si dhe të ulë qëndrueshmërinë fizike, edhe gjatë aktiviteteve të zakonshme si ecja. “Me më shumë dehidratim, muskujt funksionojnë më dobët dhe lodheni më shpejt,” thekson Stookey.
5. Ndryshime në lëkurë që ngjajnë me plakjen
Edhe pse pirja e ujit nuk zhduk rrudhat, dehidratimi e bën lëkurën të duket më e zbehtë, më pak elastike dhe më e prirur ndaj rrudhave. Një nga mënyrat që profesionistët e shëndetit përdorin për të kontrolluar dehidratimin është testi i elasticitetit të lëkurës, sa shpejt ajo rikthehet në formë pasi shtrëngohet lehtë. Hidratimi i mjaftueshëm ndihmon në ruajtjen e elasticitetit dhe në mbrojtjen natyrale të lëkurës.
Nëse përjetoni disa nga këto shenja, trupi juaj mund të jetë duke ju sinjalizuar se ka nevojë për më shumë ujë. Një zakon i thjeshtë si pirja e rregullt e ujit gjatë ditës mund të përmirësojë ndjeshëm energjinë, përqendrimin dhe mirëqenien e përgjithshme./K.C/dritare.net