BBC: Ilaçet e lira indiane për dobësim që do të ndryshojnë luftën kundër obezitetit!
Dritare.net

Burimi: BBC
Skadimi i patentës për semaglutidin në Indi pritet të sjellë një ndryshim të madh në tregun e ilaçeve për dobësim, duke ulur ndjeshëm çmimet dhe rritur aksesin për pacientët. Ky zhvillim u hap rrugë kompanive farmaceutike vendase të prodhojnë versione gjenerike më të lira të barnave të njohura si Wegovy dhe Ozempic, çka pritet të nxisë konkurrencë të fortë dhe të përgjysmojë kostot e trajtimit.
Aktualisht, këto ilaçe kanë çmime të larta dhe janë përdorur kryesisht nga shtresat më të pasura, por me hyrjen e alternativave më të lira, ato mund të bëhen të përhapura gjerësisht në Indi. Analistët parashikojnë se dhjetëra versione të reja të semaglutidit mund të dalin në treg brenda pak muajsh, duke ndjekur modelin e mëparshëm të industrisë farmaceutike indiane.
Semaglutidi u zhvillua fillimisht për trajtimin e diabetit të tipit 2, por është bërë shumë i kërkuar për humbje peshe, pasi ndihmon në kontrollin e oreksit dhe nivelit të sheqerit në gjak. Në një vend si India, ku mbi 77 milionë persona vuajnë nga diabeti dhe obeziteti është në rritje për shkak të stilit të jetesës dhe dietës, këto barna mund të kenë ndikim të madh në shëndetin publik, informon dritare.net
Përdorimi i tyre tashmë po zgjerohet edhe përtej trajtimit të diabetit, duke u rekomanduar nga mjekë të fushave të ndryshme për të ndihmuar pacientët të humbin peshë para ndërhyrjeve kirurgjikale apo për të përmirësuar gjendjen shëndetësore në përgjithësi.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për rreziqe të mundshme, përfshirë efektet anësore si të përzierat, problemet tretëse apo komplikacione më serioze në raste të rralla. Po ashtu, ekziston shqetësimi për përdorim të gabuar, sidomos kur barnat merren pa mbikëqyrje mjekësore apo për qëllime estetike.
Autoritetet indiane kanë nisur të paralajmërojnë kompanitë farmaceutike që të mos reklamojnë në mënyrë mashtruese këto produkte dhe theksojnë se ato duhet të përdoren vetëm me rekomandim mjekësor. Ndërkohë, kërkohet edhe kontroll i rreptë mbi cilësinë e prodhimit për të shmangur rreziqet nga barnat me standard të ulët.
Nëse ky proces menaxhohet si duhet, India mund të luajë një rol kyç në tregun global, duke e bërë trajtimin e obezitetit më të përballueshëm jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për miliona pacientë në mbarë botën./dritare.net