Çfarë është hantavirusi dhe si përhapet? Ja udhëzuesi nga OBSH-ja!
Dritare.net

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar një njoftim të ri mbi dhpërthimin e hantavirusit, pas raportimit të disa rasteve të infektimit në një anije turistike, e cila ndodhet e bllokuar në Oqeanin Atlantik, pranë Kepit të Gjelbër. Në anije ndodhen rreth 150 persona nga 23 vende të ndryshme. Deri tani janë konfirmuar tre raste dhe pesë raste të dyshuara me hantavirus, një sëmundje e rrallë, por e rrezikshme që zakonisht përhapet nga brejtësit. Tre pasagjerë kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë të sëmurë ose shfaqin simptoma, pasi anija u nis nga Argjentina rreth një muaj më parë.
OBSH thekson se situata po monitorohet në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore të vendeve të përfshira, ndërsa rreziku për popullatën e gjerë vlerësohet aktualisht si i ulët.
Çfarë është hantavirusi?
Hantavirusi është një grup virusesh që transmetohet kryesisht nga brejtësit (minjtë e egër). Njeriu infektohet zakonisht kur bie në kontakt me urinën, jashtëqitjen ose pështymën einfektuar, veçanërisht në ambiente të mbyllura ose të ndotura. Në disa raste të rralla, është vërejtur edhe transmetim i kufizuar nga njeriu te njeriu.
Simptomat kryesore
OBSH-ja dhe autoritetet shëndetësore ndërkombëtare theksojnë se simptomat e para mund të ngjajnë me gripin:
-Temperaturë e lartë
-Dhimbje muskujsh
-Lodhje e madhe
-Të përziera dhe probleme gastrointestinale
-Vështirësi në frymëmarrje në faza të avancuara
-Në rastet e rënda, sëmundja mund të shkaktojë dëmtim të mushkërive ose të veshkave dhe të jetë potencialisht fatale. Simptomat zakonisht shfaqen 1 deri në 8 javë pas ekspozimit, gjë që e bën të vështirë identifikimin e hershëm të infeksionit, informon dritare.net
Si përhapet virusi?
-Kontakt me brejtës të infektuar
-Kontaminimi nga grimcat e jashtëqitjeve të tyre
-Prekje e sipërfaqeve të kontaminuara
-Raste shumë të rralla: transmetim midis njerëzve
Forma të sëmundjes
Hantavirusi mund të shfaqet në dy forma kryesore:
-Sëmundje pulmonare (HPS) – prek mushkëritë dhe mund të shkaktojë vështirësi serioze në frymëmarrje
-Ethet hemorragjike me sindromë renale (HFRS) – prek veshkat dhe sistemin e qarkullimit të gjakut
Trajtimi
Nuk ka trajtim specifik apo vaksinë të miratuar gjerësisht. Trajtimi është mbështetës, që përfshin:
-oksigjenoterapi
-kujdes intensiv në raste të rënda
-trajtim të simptomave në spital
Grupet më të rrezikuara
Më të ekspozuar janë: punëtorët në zona rurale, fermerët, persona që pastrojnë ambiente të mbyllura e të papërdorura, ata që jetojnë pranë zonave me brejtës.
Masat parandaluese
OBSH-ja këshillon:
-lagini zonat e kontaminuara përpara pastrimit
-mos përdorni fshesë me korrent në prani të jashtëqitjeve të brejtësve
-përdorni maska dhe doreza gjatë pastrimit
-mbyllni çdo hapësirë ku mund të hyjnë brejtësit
Situata aktuale
Autoritetet shëndetësore po vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e infeksionit dhe mënyrën e mundshme të përhapjes në këtë rast të veçantë, ndërsa OBSH ka deklaruar se do të përditësojë situatën nëse dalin të dhëna të reja./K.C/dritare.net