Humbja e peshës dhe efektet anësore të GLP-1 mund të lidhen me variacione gjenetike
Dritare.net

Reagimi ndaj barnave për humbje peshe të tipit GLP-1, si edhe rreziku për efekte anësore, mund të varet pjesërisht nga variacionet gjenetike të individit, sipas një studimi të ri të kryer nga shërbimi i testimit të ADN-së 23andMe.
Studimi analizoi rreth 28,000 përdorues të 23andMe që raportuan përdorimin e barnave për humbje peshe dhe u publikua në revistën Nature.
Studiuesit zbuluan se një variant në gjenin GLP1R, që kodon proteinën e synuar nga barnat GLP-1, lidhet me një rritje të lehtë, por statistikisht domethënëse, të efektivitetit të trajtimit.
Personat që mbanin një kopje të këtij varianti humbnin mesatarisht rreth 1.7 paund (0.76 kg) më shumë gjatë rreth tetë muajve trajtim, krahasuar me ata pa këtë variant. Ata që kishin dy kopje humbnin rreth 3.3 paund më shumë.
Gjithashtu, mutacione në GLP1R dhe në një gjen tjetër të quajtur GIPR (i lidhur me sekretimin e insulinës dhe prodhimin e energjisë) u shoqëruan me efekte anësore si nauze dhe të vjella.
Lidhja e GIPR me të vjellat u vu re vetëm te pacientët që përdornin tirzepatide të Eli Lilly, i shitur si Mounjaro për diabetin dhe Zepbound për obezitetin. Personat me këtë variant gjenetik kishin 83% më shumë gjasa të vjellin pas përdorimit të ilaçit.
Megjithatë, studiuesit theksuan se efekti gjenetik mbi humbjen e peshës ishte relativisht i vogël.
“Gjetjet ofrojnë prova gjenetike se variacionet në gjenet që janë objekt i barnave kontribuojnë në ndryshimet individuale në përgjigje dhe hapin rrugën për mjekësi më të personalizuar në trajtimin e obezitetit,” thanë ata./dritare.net