OBSH: Nuk ka shenja për shpërthim më të madh të hantavirusit, por...
Dritare.net

Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se aktualisht nuk ka shenja për një shpërthim më të madh të hantavirusit pas evakuimit të pasagjerëve nga një kroçere e prekur nga virusi.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha në një konferencë për shtyp në Madrid se “nuk ka indikacione se po shohim fillimin e një shpërthimi të madh”, por paralajmëroi se situata mund të ndryshojë për shkak të periudhës së gjatë të inkubacionit të virusit dhe mundësisë së shfaqjes së rasteve të reja në javët në vijim.
Sipas të dhënave të OBSH-së, deri tani janë konfirmuar nëntë raste të hantavirusit dhe dy të tjera mbeten të dyshuara, ndërsa tre persona kanë humbur jetën pas udhëtimit me anijen MV Hondius. Disa nga të infektuarit po trajtohen në gjendje të rëndë në spitale në Francë dhe vende të tjera evropiane.
Ndërkohë, dhjetëra persona të tjerë që kanë pasur kontakt me të infektuarit janë vendosur në izolim si masë parandaluese në disa vende të Evropës.
OBSH thekson se rreziku i një shpërthimi të madh mbetet i ulët, por monitorimi dhe masat e kontrollit po vazhdojnë./dritare.net