Na ndiqni edhe në

Shëndet

Pse gratë vuajnë nga migrena më shumë se burrat

Pse gratë vuajnë nga migrena më shumë se burrat

Sulmet e migrenës nuk janë dhimbje koke të zakonshme. Ato mund të shkaktojnë dhimbje të forta, që zgjasin me orë apo edhe ditë, duke e bërë të pamundur të bëni gjë përveç pushimit në një dhomë të errët dhe të qetë. Dhe për miliona gra, këto sulme dobësuese nuk janë thjesht një përvojë e rastësishme, por një sprovë e përsëritur.

Gratë vuajnë nga migrena tre herë më shpesh se meshkujt, me episode më të zgjatura dhe më intensive. “Është shumë më e zakonshme nga sa e kuptojnë shumica e njerëzve”, thotë Anne MacGregor, një specialiste për dhimbjen e kokës dhe shëndetin e grave. Ndërsa ka ende një mister përreth si funksionon migrena, një arsye për këtë dallim gjinor janë hormonet.

Gjatë fëmijërisë së hershme, djemtë janë pak më të prirur ndaj migrenës sesa vajzat, por puberteti e ndikon në mënyrë dramatike ekuilibrin. Në këtë kohë, hormonet seksuale fillojnë të luhaten dhe shkaktojnë ndryshime fizike duke përfshirë fillimin e menstruacioneve. Në këtë kohë vajzat përjetojnë migrenën e tyre të parë. Që nga puberteti e tutje, vajzat përjetojnë migrenë në një shkallë më të lartë se djemtë, me këtë pabarazi që rritet më shumë ndërsa njerëzit arrijnë mesin e të tridhjetave dhe vazhdojnë deri në fund të jetës.

Në moshën e rritur, shumë gra që vuajnë nga migrena raportojnë se kanë përjetuar sulme të lidhura me ciklin e tyre menstrual. Një rënie e papritur e estradiolit, një formë e fuqishme e estrogjenit, mendohet se luan një rol kyç. Disa ditë para menstruacioneve, të njohura si faza luteale e vonë, nivelet e estradiolit bien. Gratë që janë të ndjeshme ndaj migrenës priren të përjetojnë një normë më të shpejtë të rënies së estradiolit gjatë ciklit në krahasim me gratë që nuk e bëjnë këtë. Ndërsa estrogjeni bie rreth ovulacionit, rënia nuk është aq e shpejtë, gjë që mund të shpjegojë pse migrena nuk është aq e zakonshme në këtë kohë. Roli i estrogjenit është vërejtur edhe tek gratë transgjinore në terapi hormonale, të cilat shfaqin frekuencë të ngjashme të migrenës me gratë cisgjinore.

Periudhat e luhatjes së estrogjenit janë gjithashtu të lidhura me migrenën tek gratë. Ndërsa gratë hyjnë në perimenopauzë, periudhën kalimtare që çon në menopauzë, hormonet bëhen të çrregullta. "Ato gra që nuk kishin migrenë menstruale paraprakisht, kanë më shumë gjasa ta përjetojnë gjatë perimenopauzës.”, thotë MacGregor. Pas menopauzës, disa përjetuan lehtësim. "Por është e rëndësishme të thuhet se modelet janë të ndryshueshme, jo të gjitha përmirësohen.”, thotë Richard Lipton, një neurolog dhe epidemiolog në Kolegjin e Mjekësisë Albert Einstein në Nju-Jork./K.C/dritare.net