Teknika e gjumit që po bëhet virale. Si e ndihmon trurin të fiket më shpejt
Dritare.net

BBC
Një teknikë e njohur si “Cognitive shuffling”, ose teknika e shprndarjes së mendimeve po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në rrjetet sociale, ndërsa shumë persona pretendojnë se i ndihmon të bien në gjumë më lehtë, sidomos ata që vuajnë nga ankthi, mendimet e tepërta dhe pagjumësia.
Metoda është shpikur nga akademiku kanadez Luc P. Beaudoin, profesor i asociuar në Simon Fraser University, dhe bazohet në idenë se truri mund të zbrazet nga mendimet stresuese përmes përqendrimit te imazhe të rastësishme dhe neutrale. Praktika funksionon duke zgjedhur një fjalë të zakonshme, si për shembull “tortë”, dhe më pas personi mendon për sa më shumë objekte që nisin me shkronjën e parë të saj, duke i vizualizuar një nga një. Kur mbarojnë fjalët me atë shkronjë, kalon te shkronja pasuese.
Sipas ekspertëve të gjumit, kjo teknikë ndihmon sepse e largon vëmendjen nga mendimet që mbajnë trurin zgjuar dhe përpiqet të imitojë mënyrën e çrregullt dhe të shpërndarë me të cilën mendja nis të funksionojë në kufirin mes zgjimit dhe gjumit. Këto procese mendore njihen si “micro-dreams”, ose imazhe të shpejta dhe të shkëputura që shfaqen para se njeriu të flejë.

Mjekja specialiste e gjumit, Alanna Hare, e përshkruan këtë një teknikë shumë qetësuese për mendjen, pasi jo vetëm e afron personin me gjumin, por edhe zbut mendimet ndërhyrëse që shpesh e pengojnë të flejë. Ndërsa studiuesja Eleni Kavaliotis thotë se metoda vepron duke krijuar të njëjtin model mendimi të shpërndarë që truri prodhon natyrshëm para gjumit.
Teknika është testuar edhe në një studim të vitit 2016 me 154 studentë universitarë që kishin vështirësi për të fjetur. Sipas rezultateve, metoda e përqendrimit te imazhet e rastësishme rezultoi po aq efektive sa mbajtja e një ditari për shqetësimet, një qasje e njohur në trajtimin e pagjumësisë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo teknikë nuk është zgjidhje magjike për të gjithë. Disa persona mund ta gjejnë të vështirë ose të preferojnë metoda të tjera, si meditimi apo shkrimi i listave të detyrave para gjumit.
Pavarësisht kësaj, teknika po shihet si një mjet i dobishëm për shumë njerëz që kërkojnë mënyra të thjeshta për të qetësuar mendjen në fund të ditës. Specialistët këshillojnë që, nëse problemet me gjumin janë të shpeshta dhe ndikojnë në jetën e përditshme, duhet kërkuar ndihmë mjekësore, pasi pas pagjumësisë mund të qëndrojnë probleme më serioze./l.F-dritare.net