Na ndiqni edhe në

Shëndet

Vaksina HPV ul rrezikun e disa kancereve. Ekspertët tregojnë pse duhet ta bëjnë edhe meshkujt

Vaksina HPV ul rrezikun e disa kancereve. Ekspertët tregojnë pse duhet

Burimi; CNN

Një vaksinë që prej vitesh është prezantuar kryesisht si mbrojtje kundër kancerit të qafës së mitrës te gratë, po tregon tashmë përfitime të qarta edhe për burrat dhe djemtë.

Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore JAMA Oncology, djemtë dhe të rinjtë që kanë marrë vaksinën kundër virusit HPV (Human Papillomavirus) kanë rreth 50% më pak rrezik për të zhvilluar kancere të lidhura me këtë virus, krahasuar me ata që nuk janë vaksinuar.

Studimi është i bazuar në një databazë të madhe ndërkombëtare që përfshiu qindra mijëra meshkuj të moshës 9 deri në 26 vjeç që kishin marrë vaksinën, dhe mbi 2 milionë të tjerë të pavaksinuar. Pas analizës dhe krahasimit të grupeve, studiuesit arritën në përfundimin se vaksinimi lidhet me një ulje të ndjeshme të rrezikut të kancereve të lidhura me HPV-në, rreth 46% në total.

Sipas rezultateve, përfitimi u pa në të gjitha grupmoshat. Tek ata që u vaksinuan në moshën 9–14 vjeç, rreziku u ul me rreth 42%, ndërsa tek ata që u vaksinuan mes moshës 15–26 vjeç, ulja e rrezikut ishte rreth 50%.

Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se HPV është një virus shumë i përhapur, i cili transmetohet përmes kontaktit të ngushtë lëkurë me lëkurë. Sipas të dhënave mjekësore, shumica e personave seksualisht aktivë e hasin këtë virus të paktën një herë në jetë.

Edhe pse në shumicën e rasteve infeksioni kalon vetë nga sistemi imunitar, disa tipe të HPV-së janë me rrezik të lartë dhe mund të shkaktojnë ndryshime qelizore që, me kalimin e kohës, mund të zhvillohen në kancer.

HPV lidhet me disa lloje kanceri si te gratë ashtu edhe tek burrat. Tek femrat, më i njohuri është kanceri i qafës së mitrës, por virusi mund të shkaktojë edhe kancer të vaginës dhe vulvës. Tek meshkujt, HPV lidhet me kancerin e penisit, anusit dhe sidomos me disa forma të kancerit të fytit (orofaringeal).

Ekspertët theksojnë se mbi 90% e rasteve të kancerit anal lidhen me HPV-në, ndërsa rreth 70% e kancerit të fytit dhe mbi 60% e kancerit të penisit kanë origjinë nga ky virus.

Një nga ekspertët e intervistuar nga CNN, Dr. Leana Wen, shpjegon se HPV është një virus jashtëzakonisht i përhapur dhe se pothuajse të gjithë personat seksualisht aktivë do të ekspozohen ndaj tij gjatë jetës.

Ajo thekson se vaksina është menduar pikërisht për të parandaluar këto infeksione para se ato të ndodhin dhe para ekspozimit ndaj virusit, duke e bërë atë më efektive kur jepet në moshë të hershme.

Në SHBA dhe në shumë vende të tjera, autoritetet shëndetësore rekomandojnë vaksinimin rutinë të fëmijëve rreth moshës 11–12 vjeç, me mundësi nisjeje që në moshën 9 vjeç. Gjithashtu, vaksina mund të jepet edhe më vonë si “catch-up” për adoleshentët dhe të rinjtë që nuk e kanë marrë më parë.

Ekspertët e pediatrisë theksojnë se nuk ka asnjë të dhënë që sugjeron probleme nga vaksinimi në moshë të hershme dhe se përgjigjja imunitare është më e fortë kur vaksina jepet para ekspozimit ndaj virusit, informon dritare.net

Megjithatë, studimet tregojnë se edhe vaksinimi në moshë më të madhe vazhdon të sjellë përfitime të rëndësishme, pasi vaksina mbron kundër disa tipeve të HPV-së ndaj të cilave individi mund të mos jetë ekspozuar ende.

Për personat deri në moshën 26 vjeç që nuk janë vaksinuar, rekomandohet vaksinimi me “catch-up”. Për moshat 27–45 vjeç, vendimi merret në konsultim me mjekun, sipas rrezikut individual.

Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se vaksina HPV është një nga mjetet më të rëndësishme të parandalimit të kancerit në mjekësinë moderne dhe se efektiviteti i saj është i lartë dhe i provuar.

Sipas tyre, edhe pse fillimisht fokusi ishte te vajzat për shkak të lidhjes së HPV-së me kancerin e qafës së mitrës, tashmë është e qartë se përfitimet janë të barabarta edhe për djemtë.

Mjekët nënvizojnë se vaksina nuk trajton infeksionin ekzistues, por parandalon infektimin me virusin, duke ulur ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve serioze në të ardhmen.

Në këtë kuadër, ekspertët i bëjnë thirrje prindërve që të informohen dhe të konsiderojnë vaksinimin si një masë të rëndësishme parandaluese kundër kancerit për fëmijët e tyre, si për vajzat ashtu edhe për djemtë./K.C/dritare.net