
Nga Mariola Ngjeliu
Qeparoi i Sipërm i vendosur në majë, dukej që nga deti, tërheqës, i vjetër dhe shumë mistik. Rruga që të çonte për atje nisej që në këmbë të kodrës dhe ishte mjaftueshme e thepisur deri në majë që fillonte fshati.
Ata kapur prej dore ngjiteshin tatepjetë kodrinës. Ditët e para te korrikut ishin nxheta, të vaposur, ata vazhdonin ngjitjen, që perëndimi t’i gjente në fshat.
Rruga ishte shumë e bukur, përdridhej kodrinës gjelbërushe, ndjehej kudo erë bredhi dhe sidomos erë sherebele. Teksa ngjiteshin, prej lodhjes fjalët u bënë të pakta, secili në mendimet e veta, shijonin natyrën.
Një muzikë e bukur dasme vinte lart nga fshati, sa vinte dhe afrohej. Po arrinin, këmboret e tufave të bagëtisë, që po ktheheshin nga kullotat i pritën që në hyrje të fshatit. Nje çoban i vogël jo me shumë se 8 vjec, i përshëndeti dhe i uroi mirseardhjen, mesa duket turistët kishin filluar të shpeshtoheshin dhe fshati po mësohej.
Koha kishte ndaluar në Qeparo, shtëpitë me mure guri, të vendosur në shkëmb kishin qindra vjet që qëndronin ashtu, arkitekturë e mrekullueshme. Ata hynë nëpër rruget e kalldrëmta te fshatit, përshëndetshin me vendasit dhe me turistët aventurierë.Rrugicat shpërndaheshin nëpër fshat ata shkuan pothuaj ne çdo portë dhe prag. Dielli ishte përflakur gati në perëndim, ata morën drejtimin për nga Kisha e fshatit. Ajo besonte se nga ajo anë ishte dasma. Kishte pasur të drejtë. Propozoi të uleshin në një shkëmb që të shihnin nga larg.
A ka më bukur sesa kaq?- mendoi.
Një familje e re po merrte jetë, me diellin në perëndim, në një Kishë të vjetër të paktën 250 vjeçare, me pamje të mrekullueshme nga deti, në një lartësi gati 450 metrash.
Nusja, me siguri ishte një zanë e atyre anëve, vezullonte, dhëndri i gëzohej emocioneve të saj. Të ftuarit e paktë dukeshin po njëlloj të lumtur. Muzika e bukur shqiptare endej mbi Qeparoin e Sipërm e shpërndahej tutje nga deti. Ulur në shkëmb duke kundruar këtë magji, ajo e pa në sy të dashurin e saj, si për t’i kërkuar një premtim dhe ai i puthi flokët.
Me zemrat mbushur plot, u nisën te zbrisnin, arritën poshtë në det dhe ende nuk kishin mbaruar se tjerri ëndrrën e tyre, që u nxit perëndimit, në Qeparoin e Sipërm./dritare.net

















