Jo vetëm Kosova, por kombi shqiptar përpara një momenti historik!
Dritare.net
Nga Bardhyl Reso
Sot Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka thirrur një Konferencë për t’u konsultuar me përfaqësuesit e forcave politike, shoqërisë civile dhe institucioneve kryesore të shtetit të Kosovës mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të asosacionit të komunave serbe në veri të Kosovës. Është shumë i çuditshëm fakti që në këtë takim kaq të rëndësishëm mbi normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë nuk është ftuar Kryeministri aktual i Kosovës, zoti Albin Kurti. Nga ana tjetër, deklarata e e përfaqësuesit amerikan, Zotit Eskobar, se ne po përpiqemi të gjejmë forca të tjera në Kosovë të cilat do të vendosin për krijimin e asosacionit dhe ta bëjnë këtë një fakt të kryer para kushtit të njohjes së Kosovës-shtet nga Serbia, për mendimin tim nuk është aspak i drejtë.
Të pranosh ngritjen e komunave serbe përpara se të njohësh shtetin e Kosovës si shtet i pavarur me fuqi të plota ekzekutive e kushtetuese në territorin e tij, domethënë është të pranosh krijimin e një territori të veçantë sërb brenda Kosovës që do ta drejtojë Beogradi sipas interesave të tij.
Ndërkohë Presidenti Biden dhe Kancelari Scholz, kanë deklaruar se për normalizimin e marrëdhënieve që të çon drejt BE-së, për një paqe afatgjatë e stabilitet të qëndrueshëm, për sigurinë e gjithësecilit dhe pa diskriminuar kërrkënd, nevojitet njohja reciproke dhe jo asosacion si parakusht për zhvillimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Serbia në çdo takim ndërkombëtar, deklaron hapur se nuk e njeh dhe nuk do ta njohë Kosovën si shtet sovran. Ndërsa Vuçiç, me hipokrizi vazhdon lojën se Serbia po bën sakrifica për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Është deri diku e kuptueshme që situate politike në Europë është në kushte të disfavorshme për një zgjidhje optimale të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht ato mes Kosovës dhe Serbisë. Lufta me Rusisë dhe Ukrainës dhe në përgjithësi interesat e Rusisë për rritjen e tensioneve me vendeve të Ballkanit, padyshim që ka një ndikim dëmprurës për zgjidhjen e problemeve imediate. Por kjo nuk do të thotë që të lejohet të përsëriten vendimet e gabuara të shteteve europiane në të kaluarën, që kanë qënë në dëm të Kombit Shqiptar dhe në interes të fqinjëve sipas pazareve të fuqive fituese, sidomos Anglisë, Rusisë dhe Perandorisë Osmane.
Territoret shqiptare u janë dhënë Greqisë, Sërbisë dhe ish-Jugosllavisë deri në mbarim të luftrave Ballkanike e pas Luftës së Parë Botërore. Kombi Shqiptar asnjëherë nuk është përkrahur nga shtetet europiane me përjashtim të Austro-Hungarisë dhe Italisë, sigurisht edhe këto për interesat e tyre strategjike. Falë ndërhyrjes së politikës amerikane në çështjet europiane pas Luftës së Parë Botërore, kufijtë e Shqipërisë u ruajtën dhe mbetën ato që janë edhe sot. Zhvillimet politike të fundshekullit të kaluar, si rrëzimi i Murit të Berlinit, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe shembja e komunizmit në të gjitha vendet e Europës Lindore që solli dhe copëtimin e Rebublikës Federative të Jugosllavisë hapi një perspektive edhe për Krahinën Autonome të Kosovës, e cila qe përfshirë brenda territorit të Sërbisë. Morëm shpresë se ëndrra shumëshekullore e kombit shqiptar po bëhej realitet për të formuar Republikën e pavarur të Kosovës.
Duke mos rikujtuar mizoritë sërbe të frymëzuara nga shovinizmi barbar i politikës së Millosheviçit, Kosova me luftën e saj të ndihmuar dhe të përkrahur nga vendet perëndimore, NATO-s dhe kryesisht të SHBA-së dhe Anglisë, arriti të krijojë shtetin e saj. Megjithatë, kanë kaluar dy dekada dhe hapave të mëdha drejt konsolidimit të shtetit, Serbia dhe aleatët e saj, sidomos Rusia, bëjnë çmos për t’i penguar dhe minuar duke mos e njohur Kosovën si shtet i pavarur. Kjo situatë si rrjedhojë , ndikon në tërë mbarëvajtjen mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Problemi i përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Sërbisë, nuk është vetëm problem i Kosovës por i mbarë Kombit shqiptar. Personalisht, mendoj se interesi i politikës shqiptare, shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera në Shqipëri nuk është përfshirë si duhet dhe sa duhet mbi rrrugët dhe mënyrat që duhen ndjekur për ta zgjidhur këtë problem themelor në interes të kombit shqiptar. Ky problem madhor nuk duhet të lihet vetëm në duart e Kosovës. Të organizohet një Lidhje e Tretë e Prizrenit, ku të mblidhen atdhetarët më të devotshëm e patriotë që duan njësoj si Kosovën ashtu dhe Shqipërinë, politikanë, studiues të mirëfilltë që jam i bindur që nuk mungojnë, dhe të hartojnë një platformë bindëse politike dhe juridike për mënyrën e administrimit të një shteti multi etnik siç është sot shteti i Kosovës. Është e qartë që ndihma, përkrahja dhe sugjerimet e SHBA-së dhe shteteve perëndimore janë të vyera dhe të domosdoshme, por shqiptarët janë ata që duhet të luftojnë më shumë se kushdo për pavarësinë dhe sovranitetin e kombit të tyre./dritare.net