Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Letër për Rudinën: Ndihmoni që në Shqipëri, të flitet shqip!

Letër për Rudinën: Ndihmoni që në Shqipëri,

Përshëndetje zonja Xhunga!

Po ju shkruaj jo vetëm për kronikat televizive aq të bukura dhe të realizuara prej jush, por edhe për faktin se jemi nga i njëjti qytet. Unë banues në Muradie dhe ju në Vrenez, ku te dyqani i vajgurit mblidhej i gjithë qyteti.

Unë quhem Aron Sollomoni dhe banoj në Izrael, por gjithmonë me dashuri për Shqipërinë dhe Vlorën jam në kontakt për çdo gjë.

Kohët e fundit kam përkthyer nga hebraishtja në shqip dy libra të Amos Oz, njërin prej të cilëve e kam dërguar në një shtëpi botuese në Tiranë.

Arsyeja që po ju shkruaj:

Më bën shumë përshtypje dyndja e shumë fjalëve të huaja, pothuajse të panevojshme në gjuhën shqipe. Në vend që gjuhën ta mbajmë të pastër dhe ta zbukurojmë, i marrim frymën me këto fjalë. Ka shumë fjalë që përdoren aty dhe ja disa prej tyre:

Benefit-përfitime

Intimidoj-frikësoj, tremb.

Këtë fjalë e dëgjon në parlament, televizion, nga deputetë, gazetarë, avokatë. Dhe arrijmë deri aty sa kur vjen puna të shpjegojmë se çfarë është fjala frikësoj, në kllapa shënohet intimidoj. Pra një fjalë në shqip shpjegohet me një fjalë të huaj.

Kontestoj-kundërshtoj.

Thotë një gazetar: duhet të bëhen zgjedhje të pakontestueshme, kuptoj që rezultati i tyre të jetë i pakundërshtueshëm, i pranueshëm nga të gjithë.

Dikush tjetër thotë: kjo do të ishte një urrejtje visherale, në vend të urrejtje e brendshme.

Ose më tej; ky është një personazh prominent, pra më i dallueshëm nga të tjerët.

Kanë hyrë fjalë të tjera që akoma nuk u është gjetur ekuivalenti në shqip, për shembull lap-top, në vend të kompjuter i lëvizshëm ose diçka tjetër e tillë. Apo pjesa ku shtypim materialet nga kompjuteri quhet prin, në vend të një fjale që duhet të tregojë shtypjen e fletëve.

Aq më keq kur thuhet: materialin që më dërgove e printova, në vend e shtypa.

Ka shumë fjalë të tilla dhe nuk dua t’u bezdis se sigurisht për ju duhet të jenë të njohura. Më tërheq vëmendjen që këto fjalë i përdorin ata që e quajnë veten me shkollë të lartë dhe jo masa e njerëzve të thjeshtë.

Mos mendojnë se flasin një gjuhë të lartë? Gabohen.

Kështu nuk mbrohet pastërtia e gjuhës shqipe ku dhe gjuhëtarët nuk bëjnë punën e tyre madje nuk pranojnë lashtësinë e gjuhës shqipe të cilën të huajt e kanë treguar me kohë.

Kur pyetët një gjuhëtar se çfarë bën instituti i Gjuhësisë ai përgjigjet se ka funksion onorifik. As zgjidh problemin dhe fut një fjalë të panevojshme.

Ka shumë për të shkruar dhe për të cituar por nuk dua t’u shpenzoj kohën. As nuk po tregoj njerëz me gisht se kush ka përdorur shprehje të tilla. Mua më intereson gjuha e bukur shqipe që më ka shtyrë dhe të përkthej librat e Oz, plus respekti për këtë shkrimtar të madh.

Ndoshta ju mund të bëni diçka për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga përdorimi i panevojshëm i fjalëve të huaja të cilat nxjerrin jashtë funksionit fjalët e bukura shqipe!

Gjithmonë e nderuar dhe respektuar.
Aron Sollomoni, Izrael.

/dritare.net