Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Përputhen dhe shpullat si famë!

Përputhen dhe shpullat si famë!

Nga Ermal Peçi

Shoqëritë që kalojnë periudha trazicioni, si është rasti i Shqipërisë nuk kanë vetëm kriza institucionale, por edhe kriza shoqërore. Vende si ne, të cilat vijnë nga një periudhë post komuniste, vuajnë nga e vërteta dhe janë të rritur me frymën e dhunës që mbjell frikë dhe në mungesë të modeleve, të cilët të shërbejnë për orientim krijohet kaos shoqëror.

Ndërsa shoqëria jonë është totalisht në kaos bota mediatike, rrjetet sociale, instagram, facebook, tik tok kanë rrëmbyer gjithë vëmendjen e shoqërisë duke u kthyer në një mjet përfitues ekonomik. Rrjetet sociale deri dje ishin si një mundësi kontakti dhe përthithje sa më të shpejt të informacionit sot janë kthyer në një mjet të fuqishëm ekonomik, kur ke famën e duhur e menaxhimin e duhur.

Si çdo proces social, politik dhe ekonomik nuk mjafton të shikosh çfarë paraqet tabloja, por duhet të shohësh çfarë ka pas tablosë dhe në këtë rast duhet të shikojmë çfarë fshihet pas asaj shpulle. Fshihet fama dhe degradimi i shoqërisë.

Përputhen do të duhet të shikohet në dy aspekte sociale në atë që prodhon pozitivisht dhe në impaktin negativ, që jep në shoqëri. Përputhen ka mundësi të transformojë jetën e një vajze ose një djali brenda një dite, mund të kapë famën, të ndihet i gjallë, të ndihet i kërkuar dhe ta kthejë këtë program në instrument ekonomik dhe në qoftë se ka aftësi profesionale dhe dëshirë mund të katapultojë në jetën televizive duke i siguruar vetes një të ardhme të mirë.

Përputhen është një reality show që mundohet të sjellë të vërtetën si në jetën e përditshme. Një luftë midis vajzave dhe djemve për të fituar dashurinë, midis intrigave, tradhtisë dhe dhuratave për të bërë njëri tjetrin për vete.

Në anën tjetër kemi impaktin negativ që prodhon ky reality show, i cili shpesh herë është akuzuar dhe për inskenime me emisionin me qëllim amplifikimin e ngjarjes, tërhiqen e vëmendjes dhe rritjen e shikueshmërisë, sepse në fund të ditës ato klikime apo shikime përkthehen në përfitim ekonomik.

Amplifikatori për të arritur këtë zhurmë ka qenë shpulla, shpulla që i ka shoqëruar pjesën më të madhe të shqiptarëve që nga fëmijëria, si mjet frike për të heshtur dhe për mos të bërë zhurmë, por që në Përputhen shpulla duhet si zhurmë, zhurmë që të sjellë klikime.

Historia e shpullave në Përputhen është një ngjarje që e ka shoqëruar gjatë këtë program, nga përplasjet e djemve duke kërcënuar njëri- tjetrin se do e merrnin me shpulla, nga vajzat që godisnin me shpulla djemtë kur nuk ju shkonin sipas avazit dhe shumë raste të tjera.

Shpulla për klikime, shpulla për famë dhe shpulla u bë instrumenti kryesor për të amplifikuar zhurmë në këtë program.

Dhuna fizike dhe dhuna verbale që ndodhi dje në këtë emision është një kambanë alarmi për shoqërinë tonë, se deri ku arrijnë dy vajza vetëm për të përfituar famë dhe klikime.

Degradim total dhe keq prezantim i vajzës, gruas, motrës, dhe çdo modeli sjelljeje.

Dje në këtë program televiziv u pasqyruan modele të papërshtatshme, ku ‘fama’ e premtuar është shndërruar në qëllim. Një model i papërshtatshëm të cilin programi e promovonte në faqen e instagramit ku ftonte shikuesit për të klikuar mbi linkun e emisionit dhe si për ironi të fatit emisioni titullohet: Lea e godet me shpullë Irisin, situata del jashtë kontrollit! A thua se nuk mund të kishte një emër tjetër për mos të promovuar dhunën e këtë degradim shoqëror. Media si pushteti i katërt më i rëndësishëm në shoqëri duhet të luaj një rol më konstruktiv në formimin e shoqërisë. Prezantojnë antivlerat e njeriut siç ai nuk duhet të jetë sepse shoqëritë e konsumit shpesh herë ofrojnë modele të tilla për t’u përtypur gjatë ditës por që nuk zgjasin pafund, janë modele të gabuara të cilat nuk besojnë tek puna e fortë, tek përkushtimi, tek leximi, por zgjedhim pragmatizmin duke synuar famën pa pasur një strategji por vetëm nëpërmjet trupit dhe zhurmës dhunuese, e cila është e rëndë.

Prandaj sot duhet një reflektim i fortë i shoqërisë se çfarë modelesh po i ofrojmë brezit të ri dhe çfarë modelesh po i japim. Të zgjedhin shpullat për famë apo edukimin për dinjitet. Zgjedhja ju përket atyre, por dinjiteti është liri që nuk shkëmbehet me famë e para dhe liria është gjeja më e çmuar që një njeri mund të ketë në jetë. Një gjë është mese e sigurt që mentaliteti i shoqërisë ka evoluar dhe emancipuar nga modele të cilët i kanë besuar idesë së tyre, fjalës, mendimit kritik dhe jo nga modelet e dhunës të cilat sjellin vetëm degradim dhe mjerim në çdo shoqëri./dritare.net