
Braktisja e madhe urbane, riktheni Komunalen!
Dritare.net
Nga Artan Xh. Duka
Pallat me probleme!
Bëhet fjalë për problemet me pallatet, atje ku banojnë shumica e qytetarëve, administrimi i të cilëve ka ndikim edhe në bashkëjetesën e fqinjësinë e mirë mes nesh. Ndonëse i rregulluar me ligj, problemet për qytetarin janë të shumta dhe gjetje si Asambleja, Kryesia, Administratori etj, praktikisht janë larje duarsh e qeverisë e bashkive me të. E kjo cenon si besimin e qytetarit tek sistemi ashtu edhe vetë fqinjësinë e mirë.
Problemet fillojnë nga parkimi, gjelbërimi, ndriçimi, lyerja e fasadave e shkallëve, pastrimi, ashensori, depozitat e pompat e ujit, dëmtimi i tubacioneve qendrore, ndërhyrjet e parregullta, pusetat, ndotja akustike, oraret e punimeve etj që në finale degradojnë pallatin e vetë mjedisin urban.
Jo të gjithë preken njëlloj. Prishet ashensori deri me ditë e javë e dikush nuk qahet se zbret shkallët por të tjerë, sidomos pleq, bllokohen brenda katër mureve, ikën pompa e ujit por dikush merr nga presioni i rrjetit e tjetri ka depozitë ekstra, çahet kolona e shkarkimit të shkallës e dopiogjashta i mbetet atij në katin ku ndodh krisja etj. Ca irritohen, ca sokëllijnë, ca i zbrazen administratorit, ca njëri-tjetrit… e të gjithë “festojnë” më vonë njëherë ardhjen e dritave, njëherë të ujit, pastaj rregullimin e ashensorit etj!
Gjetje si Asambleja, Kryesia apo Administratori nuk janë zgjidhje afatgjatë për të mirëmbajtur pallatet e për rrjedhojë edhe garantuar fqinjësi të mirë të pandikuar nga moria e problemeve të mirëmbajtjes e riparimeve të vazhdueshme në pallat. Përkundrazi, mund t’a trazojë atë me tensionet e vazhdueshme që krijon.
Pallate mes katër rrugëve!
Duke i lënë qytetarët në fatin e tyre, sistemi, dmth qeveria e bashkia, i kanë lënë pallatet në mes të katër rrugëve. Asambleja, në dukje gjetje liberale që nxit iniciativën e lirë qytetare, është reminishencë voluntariste “kooperative” që bie ndesh me individualizmin, privatësinë, kohën, hapësirën e lirinë e individit. Fqinjësia sot nuk është më si dikur. Sot lëvizja e popullsisë është dinamike, pallatet janë të mëdhenj e komshiu nuk arrin të njohë komshiun, apartamentet ndërrojnë pronarë shpesh, qytetarë në masë janë të zënë me hallet e përditshme e për ca shtëpia është hotel, ca emigrojnë, ca kanë lënë pleq të pamundur në shtëpi, ca japin me qira etj… një tablo komplekse që vetëm rëndohet me thirrje për mbledhjen e Asamblesë, caktimin e administratorit të radhës, fatura shtesë riparimesh etj.
Qytetarët sot duan të mbledhin mendjen. Të paguajnë paratë, të marrin shërbimin dhe kaq. Pa komente, pa paragjykuar apo dyshuar se po ia hedhin nga pas. Ndaj dhe Asambleja si gjetje nuk ngjit. Kur mblidhet, nëse mblidhet, ajo sërish mund të paragjykohet, përgojohet dhe tok me të edhe vetë institucioni i administratorit. Vetë administratori në vetvete është pozicion delikat. Si çdo banor, ai ka momentet e tij (sëmuret, ikën me pushime, ka punë gjetiu etj) dhe kjo ndikon rutinën e përditshme sepse banori mund të ketë nevojë në çdo kohë. Edhe kur përpiqet e bën transparencë sërisht përflitet, i bëhet karshillëk dhe kjo shqetëson e zhgënjen vetë administratorin që dorëhiqet dhe avazi fillon nga e para! Zelli për administrim nuk nxitet duke e detyruar administratorin të gjuajë banorët për pagesat mujore, të trokasë çdo muaj tek dera një apo disa herë deri sa t’a hapë dikush, të “kryqëzohet” në çdo kat përse këtë apo atë, të durojë dyshime apo akuzohet për klientelizëm etj. E ka të vështirë të qëndrojë gjatë. Administratorët nuk janë magjistarë dhe shumë gjëra dalin jashtë fuqisë së tyre. Digjet pompa e duhet një e re, duhet ndërruar ashensori etj ndërhyrje që kushtojnë. Të thërrasin Asamblenë, jo të gjithë ia kanë ngenë, t a riparojnë apo blejnë vetë, përgojohen për klientelizëm dhe heqin të zitë e ullirit për t’i marrë çika-çika lekët nga banorët më pas etj.
Ndaj dhe në kushtet e urbanizimit masiv është domosdoshmëri një gjetje e re funksionale e administrimit të pallateve që nxit bashkëjetesën e fqinjësinë e mirë dhe besimin tek sistemi. Aq më tepër kur ne sot ballafaqohemi edhe me një vërshim turistik masiv dhe surprizat duhet të jenë vetëm për mirë për të huajt që marrin një banesë me qira. Pushteti vendor duhet të ndërhyjë e të jetë i pranishëm në këtë drejtim. Sikurse bën për mjaft shërbime të tjera publike që i ofrohen komunitetit (mbledhja e mbeturinave, gjelbërimi, shkollat etj) që bazohen tek taksa qytetare por që më pas disa u delegohen e ofrohen nga privati kundrejt kontratave me bashkitë.
Ndërkohë që qytetari paguan tashmë taksa për bashkinë dhe së shpejti edhe taksa më të larta për pronën e tij, është në të drejtën e tij të presë më shumë prej pushtetit qendror e vendor për të garantuar normalitet atje ku hyn e del përditë. Taksë administrimi nga bashkia që mbledh mendjen e çdokujt. Bashkia duhet të jetë e pranishme në sfidën e administrimit të pallateve. Një lloj rikthimi i “Komunales” apo “Pasurisë së shtetit” me ndryshimin se punën e rutinën e përditshme sërish e mbulon privati por ky i fundit tashmë fiton tenderin e liçensohet nga bashkia, paguhet prej buxhetit të bashkisë që vetë bazohet edhe tek një taksë administrimi ndaj banorëve në pallateve. Një taksë e tillë “administrimi” ndaj qytetarit, që shkon më pas në buxhetin e bashkisë qoftë më vete apo bashkë me faturat mujore, garanton qetësinë e mendjes të banorit. Nuk ka më trokitje tek dera, njoftime mureve për pagesa shtesë, llafe shkallëve etj. Kur ka probleme tashmë ka administrator por ka edhe bashki dhe kjo e fundit i ka të gjitha fondet e mundësitë që në mos vetë, përmes të tretëve, të ndërhyjë në kohë kur është domosdoshmëri.
Një angazhim i tillë prej pushtetit vendor ka mjaft avantazhe. Më kryesorja, ai nxit fqinjësinë e mirë teksa banorët nuk debatojnë më vend e pa vend dhe për çdo gjë me shoqi-shoqin sepse zgjidhja është një telefon larg. Ai rrit besimin e banorit tek sistemi duke e bërë më komode rutinën e përditshme të tij. Ai shton interesin e qytetarit për zgjedhjet vendore. Për bashkinë nuk mjaftojnë më asfaltet e shtruara, buja e Çelësave të Qytetit të dhuruara, pemët në periferi etj por duhet edhe normaliteti i mjetës në blloqet e banimit. Një “notë” më shumë në vlerësimin e punës së saj dhe një mundësi për partitë politike për të rritur mbështetjen në zgjedhjet e radhës.
Ai uniformizon rregullat dhe praktikat e administrimit. Sot diku paguhet më shumë, diku më pak, diku administratori mbyll ujin nëse nuk paguan(!), diku çahet tubi qendror e paguan vetëm banori i katit ku ndodh etj), si veprohet kur banori jeton jashtë, kur ka pensionistë të vetmuar, zgjidhja e mosmarrëveshjeve apo faturave të papaguara, kodi i shkruar i bashkëjetesës në pallat etj. Me kapacitetet e saj Bashkia ka mundësi të ulë shpenzimet e blerjes së pajisjeve që mund të përdoren nëpër pallate (pompa uji, ashensorë etj). Qytetari nuk do të merakosej më për rastet e riparimeve apo blerjeve të kushtueshme (psh. ashensori që për shumë pallate kanë mbi 20 vjet, pompë e re uji, lyerje fasadash, shtrim tarrace etj). Bashkia krijon fond emergjence sikurse ajo krijon edhe grafik të ndërhyrjeve të radhës për çdo bllok banesash në qytet nga lyerja e fasadave, zëvendësimi ashensorëve, shtrimi tarracës, gjelbërimi, asfaltimi parkingut etj (sot pallatet kanë mbetur lara-lara sepse banorët nuk bëhen bashkë për t’a lyer atë por në rast se bashkia është e pranishme, herët a vonë, të gjitha pallateve do u vijë radha për t’u lyer një ditë).
Bashkia ka mundësinë e përzgjedhjes së duhur të kontraktorëve privatë që do të ndërmarrin funksionin e administrimit në pallate duke rishikuar në kohë liçensat e tyre në varësi të punës së bërë dhe reflektimeve të banorëve. Kjo mundëson jo vetëm punësim shtesë për nëpunësit e bashkisë por dhe punësim e kontrata të qëndrueshme për punonjësit e kompanive private që fitojnë kontratat me bashkinë.
Riktheni Komunalen!
Afërmendsh, nuk do të jetë bashkia ajo që do të merret me rutinën e përditshme të mirëmbajtjes kur dihet se janë me qindra mijëra apartamente kudo në vend. Por ndërkohë, janë po me qindra mijëra subjekte që do paguajnë këtë taksë administrimi në buxhetin e bashkive dhe kjo krijon mundësi punësimi për shumëkënd. Bashkia ndërkohë thjesht do përzgjedhë kush do e kryejë atë, përmes taksës së administrimit do e paguajë atë dhe do të ndërhyjë nëse duhet ndërhyrë. Përtej rritjes së vlerës së pronës ku banon pas investimeve të bashkisë, që qytetarët të mos zhgënjehen se blenë në këtë apo atë pallat duhet që sistemi të ofrojë garanci për rutinën e përditshme në to. Këtë garanci e ofron pushteti.
Bashkëjetesa qytetare e fqinjësia e mirë ka nevojë për rikthim në identitet. Mbase nuk shkon deri tek “fara e kosit” si dikur por tek fqinjësia e mirë bazuar tek respekti, harmonia e mirësjellja reciproke. Ndaj dhe duhet të rikthehet fryma e përgjegjësisë së pushtetit vendor si “Komunalja” apo “Pasuria e Shtetit” dikur por në kontekstin demokratik dhe lirisë së sipërmarrjes. Se jo për gjë por është edhe në modë rikthimi në identitet! Por kësaj radhe jo për një godinë në qendër që shumëkush e sheh rrallë por për pallatin ku hyjnë e dalin përditë të gjithë./dritare.net

















